Në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe repartet e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, dhjetëra të rinj janë duke e kryer pjesën praktike për asistentë të infermierisë. Shumica prej tyre synim e kanë marrjen e licencës së infermierisë dhe punësimin në shtetet perëndimore.
Tri vjet më parë, Agnesa Dervishaj e kishte përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë për infermiere, profesion ky të cilin përherë e ka dashur.
Punë nuk kishte gjetur dhe tash, sikurse edhe disa kolege të saj, ka vendosur të ikë jashtë vendit, për t’u punësuar në ndonjë qendër spitalore në shtetet perëndimore.
Por, asaj i duhet licenca e infermierisë, për të cilën duhet kryer gjashtë muaj praktikë në institucionet shëndetësore.
“Një herë me dalë si infermiere e licencuar, e mandej me e provua fatin jashtë vendit, me punua si një infermiere e licencuar në Gjermani. Edhe zakonisht këtu na si infermiere diplomohemi dhe licencohemi dhe në fund rrimë në shpi”, ka thënë ajo.
Përveç tre muajve në qendrat e shëndetit primar, tre muaj e tjerë të praktikës duhet kryer në institucionet spitalore. Aktualisht, në repartet e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës ka mjaftë praktikantë.
Disa prej tyre, të kontaktuar nga KOHA, nuk deshën të deklaroheshin para kamerës. Prapa saj treguan se posa ta marrin licencën e infermierisë, do të tentojnë të gjejnë punë jashtë vendit.
Synimet e tyre nuk e befasojnë drejtoreshën e Infermierisë në këtë spital, Hidajete Krasniqin.
Ajo tregon se shumica kërkojnë edhe një referencë për kryerjen e pjesës praktike, që ta kenë me vete kur të kërkojnë punë në spitalet e jashtme.
“Kjo vërtetohet edhe gjatë kryerjes së praktikës, ku shumë herë na duhet me ba një modalitet orarin e tyre për shkak se deklarohen se jemi në kurs intensiv për gjuhë gjermane. Kemi aplikuar për vizë jashtë shteti. Me të vërtetë është numri i madh, dhe është shqetësues fakti për të rinjtë që nuk po shohin perspektivë këtu”, ka thënë ajo.
Krasniqi tregon se vitin e ardhshëm, rreth 20 infermierë në këtë spital dalin në pension dhe u bën thirrje kolegëve të rinj të qëndrojnë dhe konkurrojnë për punësim në spital.
Të gjithë këta praktikantë, drejtimin e infermierisë e kanë kryer në shkollën e mesme të mjekësisë në Pejë, e cila viteve të fundit duket se po shkollon kuadro vetëm për spitalet e vendet perëndimore.
“Me siguri nuk është shqetësuese vetëm për mua si drejtor, por është shqetësuese për gjithë shoqërinë kosovare, sepse kjo nuk ndodh vetëm në komunën e Pejës, nuk ndodh vetëm në shkollën e mjekësisë. Shqetësuese është fakti se nuk shkojnë vetëm nxënësit e shkollës së mesme, shkojnë edhe nxënësit pas përfundimit të Fakultetit të Infermierisë”, ka thënë Artan Demaj, drejtor i Shkollës së Mjekësisë.
Në gjashtë drejtimet që i ka kjo shkollë, aktualisht mësimet i ndjekin 420 nxënës dhe rreth 130 prej tyre janë vetëm në drejtimin e infermierisë.