Arbëri

Power: Asociacioni urgjencë, t’u përmbahet parimeve të Escobarit dhe Cholletit

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, i ka kërkuar Kosovës që ta trajtojë me urgjencë zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo ka thënë se ky mekanizëm duhet t’i përmbajë parimet e shpalosura më herët nga këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ndërkaq për dialogun Kosovë-Serbi theksoi se ai duhet të përfundojë me njohje reciproke

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, ka kërkuar që Kosova ta trajtojë me urgjencë zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo, gjatë pjesëmarrjes në shpalljen e ankandit të parë për energji solare, ka theksuar se Asociacioni duhet t’u përmbahet parimeve që i kanë paraqitur këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Normalizimi do të jetë shumë i mirë dhe dobishëm edhe për biznesin. Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike. Ne e kemi bërë shumë të qartë nëpërmjet zotëri Cholletit dhe Escobarit se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve”, ka thënë Power.

Power ka theksuar gjithashtu se dialogu midis Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Gjithmonë ka qenë pozicioni i Shteteve të Bashkuara që ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe ky mbetet qëndrimi ynë. Por tani fokusi ynë është në rëndësinë e Asociacionit dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur”, është shprehur ajo.

E kryeministri Albin Kurti, i pyetur rreth takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut të Brukselit, nuk është përgjigjur nëse më 15 maj do të diskutohet për çështjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Natyrisht ne sinkronizohemi edhe sa u përket informacionit dhe synimeve. Por në të njëjtën kohë qëllimi ishte që të përgatitemi sa më mirë për një udhërrëfyes të zbatimit të sekuencuar, ashtu që edhe marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, edhe ajo e aneksit të zbatimit në Ohër të zbatohen pa kushte dhe vonesa në mënyrë të plotë. Synimi i takimit të radhës do të jetë pikërisht ky, negociata për zbatim të sekuencuar”, ka thënë Kurti.

Këshilltari Chollet dhe emisari Escobar, gjatë një vizite të muajit janar në Kosovë, patën paraqitur qëndrimin amerikan se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.