Një cicërimë në Twitter e kryediplomates kosovare Meliza Haradinaj ka shkaktuar pakënaqësi tek akterët që ishin angazhuar për zotimet që në Shtëpinë e Bardhë ishin firmosur nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Nëpërmjet këtij postimi, të enjten, ministrja kishte përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për anëtarësim në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit, raporton KOHA.

Postimi nuk ka qëndruar gjatë. Ai është shlyer e ministrja Haradinaj ka refuzuar t’i tregojë arsyet pse e ka bërë këtë.
Por, një burim i KOHËS në Qeveri thotë se për veprimin kryediplomatja ishte qortuar edhe nga zyrtarë amerikanë.
Përderisa ministrja Haradinaj e ka fshirë postimin, kryeministri Hoti nuk ka bërë kurrfarë deklarimi në lidhje me këtë anëtarësim. Ndërkaq, edhe vetë Organizata Evropiane e Institucioneve Supreme të Auditimit nuk ka publikuar ndonjë lajm në ueb-faqen e vet, në lidhje me pranimin në të, të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Por, për anëtarësimin, auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka pasur një adresim.
Pika 15 e zotimeve që i kishte nënshkruar kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë thoshte se Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium njëvjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq, plani i Qeverisë që parashihte zbatimin e këtij zotimi kërkonte nga Ministria e Jashtme që të lëshonte një qarkore për të gjitha institucionet, nëpërmjet së cilës do të kërkohej të tërhiqen të gjitha aplikimet.
Por, tash kur garën presidenciale amerikane e ka humbur presidenti Donald Trump, i cili ishte prezent në ceremoninë e nënshkrimit të zotimeve, në Qeverinë e Kosovës kanë theksuar se marrëveshja nuk nënkuptonte edhe tërheqjen e aplikimeve.
Në Ambasadën Amerikane nuk kanë thënë diçka në lidhje me publikimin e lajmit për këtë anëtarësim, ngjashëm sikur nuk kishin dhënë një qëndrim ditë më parë as për fatin e zbatimit të zotimeve të tjera.
Kandidati demokrat për president, Joe Biden, i cili sipas rezultateve preliminare ka fituar garën presidenciale, kishte kritikuar presidentin Trump për marrëveshjen dhe për qasjen në raport me Kosovën.