Arbëri

Posti i kryeparlamentarit mund të bllokojë krijimin e Qeverisë në kohë të pacaktuar

Pa një koalicion qeverisës ekziston rreziku i një krize të zgjatur politike, pasi Kuvendi mund të mos arrijë të konstituohet dhe qeveria të mos formohet brenda afateve kushtetuese, thonë njohës të zhvillimeve. Bllokimi i mundshëm në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit buron nga mungesa e një afati kohor për propozimin e kandidaturës nga partia fituese, situatë që mund të provohet nëse nuk ka një marrëveshje paraprake për koalicion

 Procesi i konstituimit të institucioneve pasi të jenë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit rrezikon të hyjë në një ngërç nëse paraprakisht nuk ka një marrëveshje koalicioni. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon vetëm partisë që ka shumicën në Kuvend, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, ky aktgjykim nuk përcakton ndonjë afat specifik brenda të cilit duhet të bëhet propozimi. 

Sipas hulumtuesit të KDI-së, Eugen Cakolli, bllokimi i mundshëm në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit buron nga mungesa e një afati kohor për propozimin e kandidaturës. Ai thekson se aktgjykimi i ka dhënë partisë fituese një “kartë në dorë” që mundëson bllokimin e institucioneve, përderisa nuk arrihet një koalicion i qëndrueshëm. 

“Si rezultat i atij vendimi në pothuajse secilin cikël zgjedhor, përkatësisht në secilën procedurë për formimin e institucioneve, kemi pasur vonesa në propozimin për kryetar të Kuvendit, për shkak se partitë që kanë fituar zgjedhjet e kanë kushtëzuar propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit me arritjen e një koalicioni qeverisës. Pra, aktgjykimi i vitit 2014 i bie tashmë që iu ka dhënë partive politike, sidomos fituesit të zgjedhjeve një kartë në dorë që u mundëson atyre bllokimin e institucioneve deri në pikën kur potencialisht ndonjë prej akterëve politikë, qofshin parti opozitare apo deputetë aktualë, nuk vendosin që ta përkrahin formimin e qeverisë”, ka thënë Cakolli. 

Ai shton se ekziston rreziku që një fenomen i tillë ta ndjekë edhe konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. 

“Për shkak se unë besoj që partia fituese e zgjedhjeve nuk ka shumë gjasa që t'iu hyjë procedurave
për formimin e qeverisë, pa pasur një lloj garancie paraprakisht për një koalicion, për shkak se problemi qëndron te fakti që në rast se zgjidhet kryetari i Kuvendit, atëherë fillon të rrjedhë afati kushtetues 15-ditor për propozimin e përbërjes së kabinetit qeveritar nga mandatari”, ka potencuar Cakolli. 

Problem shtesë, sipas Cakollit, është mungesa e një mekanizmi ligjor për tejkalimin e bllokadës. 

“Pra, rreziku është se nëse përmbyllet çështja e kryetarit të Kuvendit, nëse partia e parë nuk i ka numrat, situata është në disfavor të tyre. Kështu që partitë çfarë bëjnë ose çfarë kanë bërë, gati në secilin proces zgjedhor, përjashtimisht atij të vitit 2019 është që ato thjesht nuk propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Mungesa e një afati të tillë kohor rrezikon që ta fusë vendin në bllokada institucionale, e që unë besoj janë të mundshme, për shkak se mund të themi që kemi edhe një krizë kushtetuese, sepse nuk ka asnjë vendimmarrje potenciale të Gjykatës Kushtetuese në raport me këtë çështje, që nuk do të nënkuptonte ndryshim të vendimit të vitit 2014. Për shkak se gjykata duhet ta parashohë mundësinë e konsumimit të së drejtës. 

Pra, që në rast se partia e parë nuk e propozon brenda një afati, mund ta bëjë dikush tjetër, që është në kundërshtim me aktgjykimin e vitit 2014. Ose duhet ta përligjë, pra situatën bllokuese, ku partia e parë nuk e propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit”, ka thënë ai. 

Subjektet opozitare - Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë deklaruar që nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen. Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate menjëherë pas zgjedhjeve pati shprehur gatishmëri për diskutime, por zyrtarë të kësaj partie thanë se deri tani nuk ka pasur ndonjë takim zyrtar mes palëve. 

“Nuk kemi pasur asnjë takim, asnjë zyrtar i yni”, ka thënë shkurt Vesel Krasniqi nga Nisma. 
As në Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse ka nisur negociatat për partnerë koalicioni dhe kush mund të jenë ata. 

Për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të votuar qeverinë, është e domosdoshme një shumicë prej 61 deputetësh. Meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicë absolute, ajo duhet të sigurojë mbështetje nga partitë e tjera, deputetët individualisht ose nga komunitetet joshumicë. 
Lista Serbe, e cila ka fituar 9 ulëse në Kuvend, është përjashtuar nga Vetëvendosje për koalicion. Komunitetet e tjera joshumicë i kanë 10 ulëse, si dhe Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë me një deputet. Megjithatë, edhe me mbështetjen e këtyre deputetëve, Vetëvendosje që ka fituar 48 mandate nuk arrin 61 votat e nevojshme për ta votuar kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. 
Neni 12 i Rregullores së re të Punës së Kuvendit parasheh që seanca konstituive duhet të përfundojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Aty jepet edhe një afat sa i përket vazhdimësisë së seancës. 

“Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. 

Por nuk ka asnjë përcaktim se çfarë ndodh nëse vazhdimisht nuk propozohet kandidati. Bllokada më e gjatë institucionale ishte ajo pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Blloku opozitar LDK-AAK-Nisma, më 17 korrik 2014, pati zgjedhur Isa Mustafën kryetar të Kuvendit. Por PDK-ja, e cila kishte dalë parti e parë, e kontestoi vendimmarrjen e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja vendosi që vetëm partia fituese kishte të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar, ndryshe prej rastit të mandatarit të qeverisë, ku presidentit i lihet mundësia t’ua kalojë mandatarin edhe partive të tjera, nëse partia fituese dështon ta zgjedhë në rastin e parë. Situata e vitit 2014 pati shkaktuar një ngërç institucional prej mbi gjashtë muajsh, derisa u arrit një marrëveshje ku Isa Mustafa i LDK-së u bë kryeministër dhe Kadri Veseli nga PDK u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Vonesa për shkak të mungesës së shumicës pati edhe në vitin 2017. Pas zgjedhjeve të 11 qershorit të atij viti, koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) kishte dalë fitues, por nuk kishte shumicën e duhur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Për tre muaj u vonua zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, derisa më 7 shtator 2017, pas disa tentativave të dështuara u arrit një marrëveshje me AKR-në e Behgjet Pacollit, që në zgjedhje kishte garuar bashkë me LDK-në. Kadri Veseli ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit e Ramush Haradinaj kryeministër. 

Seanca konstituive duhet të thirret nga presidentja brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. 

Aktualisht procesi është në fazën e trajtimit të ankesave të subjekteve në Gjykatën Supreme.