Shumica e komunave me shumicë serbe poshtë lumit Ibër nuk e kanë respektuar thirrjen e Listës Serbe që të mbahet tri ditë zie për tre sulmuesit e vrarë në Basnjkë. Ditë zie pati në Graçanicë, por jo edhe në Shtërpcë, Novobërd e Ranillug, ndonëse edhe ato udhëhiqen nga Lista Serbe
Në gjysmështizë kanë qëndruar edhe të mërkurën flamujt e Serbisë në Komunën e Graçanicës, të banuar me shumicë serbe.
Graçanica i është përgjigjur thirrjes së subjektit politik Lista Serbe që udhëheq me këtë komunë, për të mbajtur tri ditë zie për vrasjen e tre sulmuesve serbë në Banjskë të Zveçanit. Në tri komuna të tjera poshtë Ibrit, që KOHA i ka vizituar të mërkurën, nuk pati ditë zie.
E qytetarët e Graçanicës, ndryshe nga vetë institucioni, kanë shprehur keqardhje edhe për policin e vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku.
“Ndiej keqardhje për të dyja palët. Janë njerëz”, ka thënë një qytetar serb.
“Është punë e politikës, unë me politikë nuk kam kurrgjë. Ishalla, unë po ua them si qytetar me u bë mirë për krejt. Kurrë mos me u bë qashtu. Me u bë mirë edhe për shqiptar, edhe për serb, edhe për rom, goran e turk, për krejt qytetarët me u ba mirë”, ka thënë qytetari serb, Petkoviq Dimitrje.
Lista Serbe drejton edhe Shtërpcën, por aty të mërkurën nuk pati ditë zie.
“Ne sapo përfunduam mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe kemi pritur se flamuri serb do të ulet në gjysmështizë, pastaj pritëm se do të ketë edhe një minutë heshtje për të vrarët në veriun e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe shkoi gjithçka në rregull. Situatë e qetë, komunikim i ndërsjellë dhe vlen të theksohet se kjo seancë vazhdoi me mbarëvajtjen sikur të gjitha seancat e tjera”, ka thënë Afet Hasani – kuvendar i LVV-së.
Ditë zie nuk pati as në Novobërd, Kuvendi Komunal i së cilës ka më së shumti asamblistë serbë. Para ndërtesës së Komunës valonte vetëm flamuri i Kosovës.
“Heshtazi ka deshtë kryesuesja të anashkalojë një minutë heshtje, por vetëm shprehi keqardhje, njëkohësisht edhe për policin e vrarë, po në të njëjtën kohë e bëri barazimin edhe me terroristët të cilët e kanë sulmuar integritetin territorial dhe dhunshëm e pabesisht e kanë vra edhe policin i cili tashmë është hero i kombit.... Pas njëzet minutash diskutime, është mbajtur një minutë heshtje për heroin e kombit, policin e vrarë Afrim Bunjaku, që një pjesë e Listës Serbe u ngrit në këmbë pa dëshirë, megjithatë Kuvendi i Artanës e mbajti një minutë heshtje për heroin e kombit”, ka thënë përfaqësuesi i LVV-së në Komunën e Novobërdës, Avdyl Gashi.
Thirrja e Listës Serbe, sipas informacioneve të KOHË-s nuk u mor parasysh as në Komunën e Ranillugut.
Të hënën subjekti politik, Lista Serbe shpalli 3 ditë zie në komunat me shumicë serbe.