Arbëri

Politikat refuzuese në veri, vazhdimi i “status quos”

Qendra e votimit ne fshatin Lipe, kutia e votimit

Foto: Driton Paçarada

Bojkotimi i votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga serbët implikon vazhdimin e “status qos”, situatë kjo që e ka përcjellë veriun e populluar me shumicë serbe ndër vite. Me gjithë dialogun e Brukselit që kryesisht u zhvillua për integrimin e serbëve të veriut, ata vazhdojnë të jenë instrument në dorën e Beogradit për pazare politike

Vakumi institucional i krijuar në veriun e populluar me shumicë serbe, pas tensioneve të dy vjetëve të fundit, vështirë se do të tejkalohet pas votimit për largimin e kryetarëve shqiptarë. Edhe pse subjekti kryesor që përfaqëson serbët inicioi peticionin për përmbushjen e obligimit ligjor për votim, ata iu kthyen bojkotit. Për t’i larguar kryetarët aktualë do të duhen votat prej 50 për qind e elektoratit në komunat përkatëse. Ndalimi i dinarit serb, aksionet e Policisë së Kosovës në veri, e mosthemelimi i Asociacionit - u përmendën si arsyet e refuzimit të serbëve. 

Njësoj si në të kaluarën, abstenimi i Listës Serbe implikoi dorëheqjen e zyrtarëve serbë jashtë këtij subjekti nga Komisionet Komunale Zgjedhore. Raporte vendore e ndërkombëtare, kanë konstatuar ndër vite ambientin kërcënues në veri për secilin që guxon t’i kundërvihet Listës Serbe, subjektit politik të afërt me pushtetin në Beograd. 

Për pasojë, për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të kaluar, në këto komuna u vendosën kryetarë që nuk e përfaqësojnë shumicën. Me gjithë legjitimitetin e kontestuar ata refuzuan të japin dorëheqje për ta shkurtuar rrugën drejt zgjedhjeve të reja. 

Dorëheqjet masive të zyrtarëve serbë nga organet komunale, të policisë dhe drejtësisë në veri, në vitin 2022 konfirmuan brishtësinë që e ka shoqëruar procesin e integrimit të tyre. 
Njohësi i zhvillimeve, Nexhmedin Spahiu thotë se, pasojat nga bojkoti eventual i serbëve do t’i bartin vetë ata. 

“Nëse Vuçiqi nuk i  fton serbët që të votojnë, nuk ka ndonjë pasojë për Kosovën por vetë serbët dhe aspiratën e Serbisë në ushtrimin e ndikimit brenda territorit të Kosovës. Loja e bojkotit ka qenë e gabuar. Tërheqja e policisë, prokurorëve e gjyqtarëve serb ishte gabim fatal dhe tani bojkotimi i zgjedhjeve është vazhdimësi e saj... Pas të këtij referendumi presioni mbi Kosovën do të hiqet dhe atëherë situata do të jetë më e qartë, në kuptimin që ose do të ketë paqe ose lufte”, tha analisti Spahiu. 

Kosova për herë të parë organizoi zgjedhjet në katër komunat veriore në vitin 2013, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Me gjithë konstituimin e tyre, Serbia vijoi t’i mbajë gjallë strukturat paralele lokale nën emërtimin “Autoritete të Përkohshme”. Masat e përkohshme të Serbisë për këto komuna, të ripërtërira prej vitit 2015 Serbia i mbajti për ta sfiduar Prishtinën zyrtare sa herë që dialogu ngec. 

Kësisoj, rezistenca e kryetarëve të cilët prej vitit 2013 zgjidhen sipas ligjeve të Kosovës, por i raportojnë Beogradit, ka penguar integrimin e plotë të organeve lokale.
Edhe pse ishin miratuar statutet e reja të cilat i definojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale, asnjëherë nuk ishte kompletuar themelimi i drejtorive të reja komunale. Kjo pati bërë që në secilën komunë të ekzistojnë nga dy administrata. 

Me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale që deri para zgjedhjeve të 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe, për herë të parë u vendosën simbolet e Kosovës.
Ndërkaq sistemi arsimor dhe shëndetësor vazhdojnë të operojnë jashtë autoritetit të Kosovës. 
Këto çështje patën mbetur të adresohen në njërën prej fazave të dialogut, por që asnjëherë nuk janë trajtuar. 

Marrëveshja e parë e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pati adresuar edhe çështjen e integrimit të ish-strukturave paralele. Shumë prej tyre janë rehatuar në organet e qeverisjes lokale, por që Qeveria i ankohet vazhdimisht Brukselit se Serbia po i mban gjallë formacionet paralele për ta sfiduar rendin kushtetues në veri.

E kohë pas kohe dialogu rrëshqiti edhe në diskutime për kufijtë e Kosovës - situatë kjo që frenoi integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ndodhi kjo në vitin 2018 kur ish-presidenti Hashim Thaçi vendosi që dialogun ta qonte në nivel tjetër duke lansuar idenë e korrigjimit të kufijve, pas të cilit premtonte se do të ndodhte njohja e ndërsjellë. Por ideja u kundërshtua nga disa shtete perëndimore duke u kërkuar palëve rikthim te dialogu i Brukselit me gjithë mungesën e rezultateve. 
Edhe pse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova ka dhënë zotim prej Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013. Ky mekanizëm u konfirmua edhe në Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për Zbatimin e saj, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan vitin e kaluar. 

Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lënë topin në anën e Kosovës, duka i kërkuar ta miratojë draftin e propozuar prej tyre dhe të njëjtin t’ia përcjellë për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni është një nga 33 marrëveshjet për të cilën insiston prej vitesh Serbia, derisa në bllokadë mbetën edhe marrëveshje të tjera nga dialogu i deritashëm i Brukselit. 
Disa prej tyre janë bllokuar plotësisht e disa kanë ngecur në faza të ndryshme.

Simboli i ndarjes së qytetit të Mitrovicës vazhdon të mbetet i bllokuar për qarkullimin e automjeteve. Serbia, ka penguar hapjen e urës mbi Ibër, megjithëse punët janë përfunduar prej vitesh dhe palët ishin dakorduar në Bruksel për ta mundësuar lëvizjen e lirë mes dy pjesëve të qytetit.  

Serbia po ashtu ende nuk e ka adresuar çështjen e strukturave doganore administrative serbe të vendosura me denominime kosovare dhe të ndërpresë lëshimin e dokumentacionit ose vendosjen e vulave, të cilat bien ndesh me marrëveshjet përkatëse.  

Serbia shkeli hapur edhe pikën për të cilën ishte zotuar para përfaqësuesit të lartë të BE-së, se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Me gjithë fushatën agresive, Kosova ia doli me sukses t’i kalojë dy votimet në Asamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe tani vendimmarrja finale i mbetet Këshillit të Ministrave.

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se qëllimi final i Serbisë është zyrtarizimi i raportit me serbët e Kosovës nëpërmjet Asociacionit.

“Beogradi po përpiqet t'i bëjë presion Kosovës që të krijojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe, të cilën e konsideron të rëndësishëm për zyrtarizimin e marrëdhënieve me popullsinë serbe brenda Kosovës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e konsideron këtë si një çështje që Kosova duhet ta zgjidhë pas anëtarësimit. Asociacione të tilla të pakicave janë të zakonshme në mesin e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe Kosova ka premtuar të krijojë një të tillë. Por në mënyrë të arsyeshme ajo nuk dëshiron ta bëjë këtë derisa Serbia nuk ia njeh sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, tha Serwer.

Nexhmedin Spahiu ka folur për pasojat nëse nuk ka zbatim të Planit Franko-Gjerman. 

“Nëse nuk implementim të planit franko- gjerman, opsioni i vetëm është lufta dhe Serbia po përgatitet për këtë. Vete fakti se ushtrinë e ka koncetruar më Medvegjë e në Sangjak ku ka shaiptarë tregon se ajo po përgatitet për luftë”, tha Spahiu.

Së fundmi kryeministri Kurti la të kuptohet se nuk mund të ketë asociacion përderisa serbët nuk i shfrytëzojnë të drejtat aktuale. Veç strukturave lokale, përfaqësuesit serbë bojkotojnë edhe punimet e Kuvendit të Kosovës, duke u shfaqur në seanca sa për t’i shpëtuar djegies së mandateve. 
E në mungesë të veprimeve të qeverisë së Kosovës, të shumta janë rastet kur Lista Serbe e Beogradi kërcënuan me veprime të njëanshme në drejtim të themelimit të Asociacionit, por që deri tani kanë mbetur në nivel të vizatimit të logos.