Arbëri

Policia: Vidovdani kaloi pa incidente, një person u shoqërua

arrestimi i serbit

Arrestimi i serbit

Foto: Alban Bujari

(16:24) - Policia e Kosovës ka thënë se kremtimi i Vidovdanit ka kaluar pa incidente, përveç shoqërimit të një personi për intervistim sipas procedurave ligjore.

Serbët sot festuan Vidovdanin në Gazimestan, afër Obiliqit. Policia e kontrolloi secilin pjesëmarrës, duke ua larguar flamujt e bluzat provokuese.

Autoritetet kanë thënë se kanë marrë të gjitha masat koordinuese që ky manifestim të mbahet i qetë dhe pa incidente.

“Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuar policore në teren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore. Pas përfundimit të aktiviteteve në orët e pasdites të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë.


Arrestohet një serb në Gazimestan

(14:50) - Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Gazimestan, aty ku janë mbledhur për ta festuar Vidovdanin.

Nuk dihen arsyet e arrestimit.

Më pas, serbët janë shpërndarë dhe ka përfunduar festimi i Vidovdanit. 

VIDEO:


Policia largon flamujt e bluzat provokuese nga serbët në Gazimestan

(12:33) - Policia e Kosovës po kontrollon secilin serb që ka ardhur në Gazimestan, në afërsi të Obliqit, për ta festuar Vidovdanin.

Policia ka larguar flamuj e bluza provokuese nga pjesëmarrësit. 

Serbët kanë nisur të këndojnë këngë nacionaliste, teksa dëgjohen duke thënë: “Kosova, zemra e Serbisë” e “Do të kthehemi një ditë në Kosovë”.

VIDEO:

Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.

Vitin e kaluar, kjo festë nuk u lejua të mbahej në Gazimestan, duke e zhvendosur në Manastirin e Graçanicës “shkaku i situatës së sigurisë”.

Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Lazar.

Shënimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.