Dy të dyshuar për aferën e ndërtimeve të objekteve banesore e afariste në vlerë të 120 milionë eurove kanë pasur informata prej 72 orësh se hetuesia do t’ua konfiskojë gjërat personale. Të hënën, Dren Kuka e Genc Sherifi janë kontaktuar nga një hetues i Krimeve Ekonomike, i cili u ka kërkuar që në mënyrë vullnetare t’i dorëzojnë telefonat në Polici. Një kërkesë e tillë është tërhequr një ditë më pas, e të mërkurën ka ndodhur bastisja për t’i marrë po këta telefona.
Prokuroria Speciale ka kryer bastisje në lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për dhënie në shfrytëzim të tokës së Ndërmarrjes Publike Banesore për një konsorcium të kompanive private, për të ndërtuar banesa e lokale afariste në vlerë të 120 milionë eurove.
Bastisjet u bënë te banesat e ish-menaxhmentit të Ndërmarrjes Publike Banesore e po ashtu edhe te konsorciumi i përbërë prej tri kompanive, që do t’i ndërtonin këto banesa. Askush nuk është arrestuar.
Dy prej personave që po hetohen janë Dren Kuka e Genc Sherifi, anëtarë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore, e aktualisht anëtarë të Partisë Socialdemokrate.
KOHA ka informata që palët e dinin para se të fillonte aksioni, se do të bëheshin bastisje.
E sipas dy personave që po hetohen, ata janë telefonuar ditë më parë nga një zyrtar policor. Nga ta është kërkuar që t’i dorëzojnë telefonat në Policinë e Kosovës.
“Pardje, me kanë thirrë Policia e Kosovës në telefon. Më kanë thënë që duam ta kthejmë një telefon që ma kanë marrë para një viti e gjysmë dhe më kanë thënë që me ua jep telefonin tjetër që jam t’u e përdorë. Ditën tjetër kanë thanë që nuk ka nevojë me i pru telefonat se na ka dalë një punë tjetër. Dhe janë paraqitur fillimisht në shtëpinë e prindërve dhe pastaj në banesën time”, ka thënë Kukaj.
“Fillimisht m’u më ka thirrë Blerim Ismajli në telefon. Unë ia kom bo pyetjen, a ma kthen telefonin e vjetër se po me bjen me shpenzu në telefona. Të nesërmen më ka thirrë, më ka thanë jo na doli një punë tjetër, mos i sillni telefonat”, ka thënë Genc Sherifi, ish-anëtar i Ndërmarrjes Publike Banesore.
Kërkesa për dorëzimin vullnetar të telefonave nga ana e të pandehurve, siç pretendojnë të dyshuarit, nuk është e zakonshme.
Sipas Kodit të procedurës Penale, me urdhër të shkruar të gjyqtarit bëhen kontrolli, sekuestrimi ose konfiskimi i gjërave, e jo duke u kërkuar palëve t’i dërgojnë vetë në polici.
Për këtë çështje dhe emrat që janë përmendur, KOHA ka pyetur Policinë e Kosovës e edhe Prokurorinë Speciale. Policia nuk është përgjigjur, ndërsa në Prokurori kanë thënë se ky institucion duhet të veprojë në bazë të urdhrave me shkrim. Se a ka vepruar në bazë të ligjit edhe Policia, kanë thënë se po presin raport me shkrim.
“Pas pranimit të urdhër-kontrollit të lëshuar nga Gjykata kompetente, PSRK ka dorëzuar atë te zyrtari i autorizuar i Policisë, siç e parasheh ligji për zbatimin e urdhër-kontrollit. I njëjti, siç e përcaktojnë dispozitat ligjore të KPP-së, ka qenë i udhëzuar që urdhër-kontrolli të zbatohet në përpikëri me dispozitat ligjore dhe në tërësi t’i përmbahet urdhrit të lëshuar nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, janë kryer kontrolle edhe në pronat e të dyshuarve: H.H, V.M, , L.M, XH.L, A.J, B.P, A.M, B.B dhe D.B.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka quajtur aksionin përndjekje politike.
Por, sipas Prokurorisë, ata dyshohet se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”; “Lidhja e kontratës së dëmshme”; dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.