Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni për këtë vit.
Ai ka thënë se janë shkatërruar 23 grupe kriminale.
“Situata në Kosovë ka qenë e qetë, përveç në veri të vendit ku siguria ka qenë e cenuar nga grupet terroriste, të inskenuara nga Republika e Serbisë. Duke u ndalë në këtë konstatim po nxjerrim disa sulme. Janë protestat e dhunshme që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët. Një ndër sulmet më të mëdha ka qenë kidnapimi i zyrtarëve policor nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës. Pastaj sulmi terroristi në Banjskë ku jeni të informuar mbi këtë sulm dhe suksesin e arritur”.
“Gjatë 2023-ës, janë 26 384 vepra penale dhe 19 666 kundërvajtje dhe raste te natyrave tjera. Janë zbatuar 834 urdhër kontrolle (bastisje), janë hetuar 2 209 persona të dyshuar, 1 310 persona janë arrestuar, prej tyre 56 janë zyrtarë publik. Ndërsa janë shkatërruar 23 grupe kriminale”.
Hoxha përmendi edhe arrestimin e tre personave si të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
“Më datë 04.08.2023 në pikë kalimin kufitar në Merdare është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Istog. I dyshuari gjatë luftës ka qenë në pozitën e kryeshefit në stacionin policor në Istog. Gjithashtu më datën 05.08.2023, janë arrestuar edhe 2 persona njëri prej tyre ka qenë komandant i nënstacionit policor në fshatin Rakosh të Istogut”, tha tutje Hoxha.
Shqetësuese u konsiderua aksidentet me fatalitet gjatë këtij viti. Në total numri i aksidenteve ishte 23176, 95 ishin me fatalitet dhe 104 persona të vdekur nga aksidentet. Ndërsa aksidente me lëndime ishin 8595 sosh./ EO