Arbëri

Policia rekomandon që në “Xhorxh Bush” të qarkullojnë vetëm linjat 3 dhe 4

Policia e Kosovës i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që në rrugën “Xhorxh Bush” të lejojë qarkullimin e vetëm dy linjave: 3 dhe 4.

Këtë e ka konfirmuar rreshteri në Policisë së Kosovës, Arsim Gollubovci, të hënën në emisionin “038” të KTV-së. Ai ka thënë se janë në pritje të një vendimi të komunës lidhur me rekomandimin e tyre.

“Ne e kemi dhënë propozimin tonë që të definohet se cilët autobusë do të kalojnë nëpër këtë rrugë dhe të jetë një korsi normale në këtë shesh. Duke e marr parasysh gjithë këtë numër të autobusëve që e kemi është shumë problem ta kemi një shesh të mirëfilltë, nëse parashihet ‘Xhorxh Bush’ të bëhet shesh”, është shprehur Gollubovci.

Sipas tij qarkullimi i të gjithë autobusëve nëpër këtë rrugë do të shkaktonte kaos.

“Kemi shumë autobusë që kalojnë në rrugën ‘Xhorxh Bush’, përveç autobusëve që janë të kryeqytetit kemi edhe autobusë të linjave të Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe disa fshatrave që kalojnë të gjithë nëpër këtë rrugë. Mendimi i Policisë edhe rekomandimi është që linjat 3 dhe 4 kryesisht të qarkullojnë qendrës së qytetit dhe sheshit. Nëse lejohen linja 1, 2, autobusët e fakulteteve që kanë leje për të hyrë në qytet, autobusët e fshatrave të Fushë-Kosovës, Podujevës, atëherë do të bëhet një kaos edhe më i madh”, ka theksuar Gollubovci.


Qeverisja Rama propozoi edhe një testim të njëkahores, në anën e kundërt

Gollubovci ka thënë se në Komunën e Prishtinës ka pasur edhe një propozim që testimi i unazës njkahore të bëhej edhe në anën e kundërt.

“Në grupin punues është diskutuar kjo punë, besoj që kjo do të bënte edhe më tollovi, sepse qytetarët tanimë janë orientuar se kah i bie rruga njëkahore, 50% të qytetarëve tanimë e dinë se kah i bije rruga njëkahore. Tash po të ia ndërrojmë kahen, atëherë qytetarët do të çorientoheshin dhe do të bëhëj një kaos edhe më i madh. A mund të jetë më mirë ose më keq, s’mund të them asgjë lidhur me këtë projekt. Kemi diskutuar, ka pasur vetëm biseda lidhur me këtë por zyrtare nuk ka asgjë lidhur me këtë”, ka theksuar ai.

Por Gollubovci ka thënë se mendon që rruga njëkahore e lehtëson komunikacionin dhe se Prishtinës i duhet një ndryshim në komunikacion.