Arbëri

Policia po e trajton rastin e Fushë-Kosovës për investimet në pronë private

Fushe-Kosova

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se është duke e trajtuar çështjen e Fushë-Kosovës rreth investimeve në pronë private. Në një përgjigje të shkurtë të Zyrës për informim dhe marrëdhënie me publikun thuhet se Policia e Kosovës (drejtoria përkatëse) e posedon këtë informacion dhe është duke e trajtuar në aspektin policor.

Të mërkurën KOHA ka raportuar se Komuna e Fushë-Kosovës gjatë vitit të kaluar kishte investuar në një biznes privat. Zyra Kombëtare e Auditimi ka konstatuar se te kontrata për vendosjen e kubëzave në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës në vlerë prej 81 mijë e 580 euro, komunarët ia kishin shtruar parkingun një biznesi privat në vlerë prej 10 mijë e 303 euro.

Në raportin e Auditorit nuk specifikohet se në cilin biznes privat është bërë ky investim i Komunës.

Duke u bazuar në raport, Auditori konsideron se Komuna e Fushë-Kosovës ka bërë shkelje ligjore, konkretisht nenin 17.1 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, i cili thekson se paratë publike përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike dhe se asnjë autoritet publik, organizatë buxhetore, person apo ndërmarrje nuk mund të devijojnë, keqzbatojnë, ekspozojnë apo të përdorin në mënyrë të parregullt paratë publike.

Opozita në Fushë-Kosovë ka thënë se investimi i parasë publike në prona private është keqpërdorim i buxhetit dhe se, sipas opozitës, me këtë janë konsumuar veprat penale korrupsion dhe keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.