Policia të martën ka shpërndarë fletushka për vozitësit në Shtime, e po ashtu ka vendosur edhe posterë, për t’ua kujtuar se veturat nuk bën të parkohen në trotuare dhe në vende të tjera të ndaluara. Policia ka paralajmëruar edhe konfiskim të veturave të parkuara në këto vende. E Komuna është zotuar të mbushë qytetin me sinjalistikën e nevojshme
Policia në Shtime në bashkëpunim me Komunën kanë nisur fushatë disaditore për vetëdijesimin e vozitësve që të mos parkojnë në vende të ndaluara. Në kuadër të planit operativ, të martën, policët kanë shpërndarë fletushka për qytetarët dhe kanë vendosur posterë në vende të ndryshme.
Haxhi Behluli, komandant i Stacionit të Policisë në Shtime, ka thënë se do të vazhdohet me ndarjen e gjobave për ata që i parkojnë veturat në trotuare dhe pengojnë lëvizjen e qytetarëve.
"Do të jepen më shumë fletushka që të jenë të vetëdijshëm qytetarët për të mos i parkuar veturat në trotuare dhe vende të ndaluara ku edhe në bazë të ligjit është e sanksionuar. Pastaj do të vazhdojmë me masa të tjera dhe do të jepen edhe gjoba, andaj plani do të zgjatë një muaj”, ka deklaruar Behluli.
Nënkryetari i Shtimes, Faruk Beqa, është zotuar se Komuna do ta përmirësojë gjendjen me sinjalistikë në të gjithë qytezën.
“Aktiviteti ynë i Komunës dhe i Drejtorisë për Shërbime Publike është që t’i identifikojmë vendet ku lejohet parkingu dhe ku nuk lejohet, në mënyrë që t’i shënojmë ato me shenja të komunikacionit. Përndryshe, në fazën e mëvonshme, Policia e Kosovës do të duhej të merrej me masa ndëshkuese ndaj qytetarëve që nuk i zbatojnë rregullat në komunikacion”, është shprehur Beqa.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë me dije se në ditët në vazhdim do të bëhet edhe konfiskimi i veturave të parkuara në vende të ndaluara.