Viti i ri shkollor ende nuk ka filluar, por shqetësimi i prindërve për sigurinë e nxënësve vazhdon të jetë i pranishëm.
Kjo çështje u diskutua të premten në Prizren, në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me ç’rast policia bëri të ditur se ka hartuar planin operativ për siguri në shkolla.
Këshill u adresuan brenga rreth sigurisë së nxënësve, nga nevoja për luftimin e dukurive devijuese, e deri te shtimi i sigurisë në trafik. Përfaqësuesja nga Këshilli i Prindërve pyeti nëse do të ketë patrullime të rregullta të forcave të rendit pranë objekteve shkollore.
“Për policinë, a ka patrullime civile, posaçërisht në shkollat e mesme, të cilat janë pak në periferi të qytetit, pasi e dimë që aty frekuentojnë edhe grupe të cilat janë të rrezikshme për nxënësit, gjithashtu edhe për popullatën aty”, ka thënë Zihni Gurmani.
Vebih Zekolli nga Policia e Kosovës tregoi se plani operativ përfshin patrullime e kontakte me komunitetit shkollor, ligjërata, por edhe veprime të tjera.
“Po ashtu, siguria në shkolla përfshin edhe aspektin e luftës ndaj narkotikëve, që është e përhapur nëpër rini dhe nëpër shkollat tona, dukuritë e tjera devijuese si janë bartja e armëve të ndryshme prej armëve të zjarrit deri te improvizimet e ndryshme, thika, boksa, e të gjitha ato, për të cilat do të kemi kontakte, do të kemi pika kontrolli, identifikim të personave eventualisht të dyshimtë edhe kontroll, qoftë të personave që nuk janë nxënës, qoftë huliganëve që sillen rreth shkollave, por edhe nxënës të caktuar të cilët besojmë se mund të kenë këso gjëra ilegale”, ka deklaruar Zekolli.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka thënë se me qëllim të rritjes së sigurisë, në 74 nga 86 shkolla në Prizren janë të instaluara kamerat vëzhguese.
“Kurba e incidenteve ka pasur zbritje në vitin shkollor të cilin e lamë pas, por sërish është ende e pranishme në institucionet shkollore, dhe për fillimin e vitit të ri shkollor bashkë me akterët relevantë të cilët involvohen në institucionet shkollore për siguri në shkolla do të bashkëpunojmë ngushtë për të krijuar një agjendë rreth vetëdijesimit dhe krijimit të mekanizmave për siguri në shkolla”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Arsimit, në fundvitin e shkuar shkollor, në Komunën e Prizrenit kanë mësuar afër 26 mijë nxënës, të mbështetur prej afro 1.900 mësimdhënësve në 59 shkolla, përfshirë çerdhen publike.