Vetura të shumta private u nisën për në Gjilan të shtunën, e pak prej tyre u kthyen nga Policia e Kosovës.
Pas vendimit të Qeverisë, për t’i ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë në vikend, KOHA qëndroi në tri lokacione të ndryshme ku ishte vendosur Policia e Kosovës.
Lëvizjet e qytetarëve u kontrolluan në dalje të Gjilanit - në fshatin Dobërqan, në drejtim të Ferizajt - në fshatin Cërrnicë dhe në drejtim të Prishtinës - në fshatin Livoq të Epërm.
Në fshatin Dobërqan u panë kolona të gjatë veturash që po prisnin për të hyrë ose dalë nga qyteti.
Qytetarët në këtë lokacion shprehën pakënaqësitë e tyre me vendimin e qeverisë për karantinim të kësaj komune.
Në vendimin e Qeverisë të së premtes, thuhet se u lejohet lëvizja “operatorëve ekonomikë dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit; kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike”.
Kjo kategori në shumë raste nuk ndalohej fare nga Policia e Kosovës.
Oficeri Rexhat Xhymshiti, i cili po kontrollonte hyrjet-daljet në pikën e fshatit Livoq të Epërm tha se lëvizjet e qytetarëve që vinin nga Prishtina ishin të mëdha, por që shumica prej tyre kishin të drejtë qarkullimi.
Ndërkohë kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për KOHËN tha se ndonëse masat e ndërmarra nga Qeveria janë të ashpra, komuna që udhëheq ai, po e respekton secilin vendim.
“Gjilani ka qenë i përgatitur për çdo situatë në kohë pandemie. Kemi nën menaxhim ditor situatën dhe ofrojmë shërbime në bazë ditore deri në 55 vizita ne familje të atyre që janë me simptoma dhe në trajtim shtëpiak përkundër 20 në hospitalizim. Mendoj që masat janë të ashpra sidomos në disa sektorë por ne kemi implementuar çdo pjesë të vendimit”, ka thënë Haziri.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten që të ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke e ndalur qarkullimin në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes.