Arbëri

Policia jep detaje për sulmin ndaj Sokol Zogajt

Policia e Kosovës, përmes një kumtese, ka dhënë detaje për sulmin kundër drejtorit të burgjeve të Kosovës Sokol Zogaj bërë sot në mëngjes nga persona të panjohur, transmeton Koha.net.

Në kumtesë thuhet: Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Ulpiana në Prishtinë, një person është sulmuar (dyshohet me mjete të forta - shufra), nga persona të dyshuar.

Bëhet fjalë për viktimën:

S.Z mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK).

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe përfundimit të procedurave fillestare nga ana e policisë, puna hetimore e policisë është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Ndërkohë që në stacionin policor Jugu në Prishtinë, në konsultim me Prokurorin e shtetit, janë iniciuar rastet, sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim trupor.