Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së shtunës, ka pranuar informacionin për zjarr në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.
Sipas Policisë, patrullat e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje e po ashtu edhe zjarrfikësit nga Zubin Potoku.
Policia ka njoftuar se zjarri ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës.
“Sipas informacioneve të para, supozohet se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe Bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës. Zjarri u lokalizua rreth orës 02:00, dhe të gjitha njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës ishin të pranishme në vend, si dhe Njësia Rajonale e Hetimit - Mitrovicë - Veri. Ne vend ngjarje doli Inspektori i Zjarrit (PPZ), per gjithçka që ndodhi u njoftua edhe Prokurori kujdestar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq sa i përket sulmit në Zveçan, Policia ka njoftuar se me datë, 25.09.2021, rreth orës 08:45, u pranua informata se në ndërtesën "INTEL" në Zveçan, ku ndodhet Qendra e Regjistrimit është thyer dera.
Sipas njoftimit, në vend ngjarje ka dalë njësiti patrullues nga Zveçan, njësitë relevante si dhe njësiti hetimor i forenzikës, ku konstatuan se në objektin e përmendur është thyer një xham i vitrinës, ku brenda objektit është vërejtur një mjet i pa eksploduar granatë dore, e zezë, e llojit të panjohur.
“Ekipi i EOD-së u informua, i cili doli në vendin e ngjarjes në 09:55, dhe pas kontrollimit të objektit, u gjetën dy mjete shpërthyese, të cilat ekipi i EOD-së i asgjësoi në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili cilësoi rastet si vepra penale “Posedim, kontrollim i pa autorizuar i armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.Lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.