Arbëri

Policia heton procesin e përzgjedhjes së drejtorit të AAC-së

Shkaku i dyshimeve për shkelje në procesin e rekrutimit të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Prokuroria i ka kërkuar Policisë që të nis një hetime preliminar për rastin. KOHA raportoi javën e shkuar se si pasojë e pretendimeve se në listën e ngushtë të kandidatëve janë përfshirë tre kandidatë që nuk e plotësojnë kushtin e përvojës së punës, Ambasada Britanike e kërkoi rishqyrtimin e procesit apo aktivizimin e hetuesisë. Me gjithë shqetësimet për dyshime, ky autoritet dhe Komisioni Vlerësues nuk e ndalën procesin e rekrutimit

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë që ta nisë një hetim parapenal rreth dyshimeve të ngritura për shkelje në procesin e rekrutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

KOHA raportoi javën e kaluar se monitorues të projektit Corrwatch, të mbështetur nga Ambasada britanike, kanë gjetur se gjatë vlerësimit paraprak, ky autoritet filtroi fillimisht vetëm 4 kandidatë, por që më pas në listë të ngushtë ka përfshirë edhe 3 të tjerë, të cilët nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.

Në Prokurori i thanë KOHËS se janë duke e trajtuar këtë informacion.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në grumbullim të informatave dhe provave lidhur me këtë çështje”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në Polici nuk ofruan përgjigje në pyetjen konkrete të KOHËS se në çfarë faze të hetimit ndodhet rasti, por thanë se janë në koordinim të vazhdueshëm me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor që ka, trajton çdo informacion apo rast i cili paraqitet/raportohet në Polici, përfshirë dhe rastet e tilla, dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Pas përfshirjes në listë të ngushtë të tre kandidatëve që nuk e përmbushin kriterin e përvojës së punës, Ambasada britanike, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, pati kërkuar që procesi i vlerësimit të rishqyrtohet ose të aktivizohet hetuesia.

Megjithëkëtë, Komisioni për vlerësimin profesional të pranimit për pozitën e lartë të kategorisë drejtuese, i përzgjedhur nga Qeveria, e që është përgjegjës për vlerësimin e mëtejmë të kandidatëve, nuk i ka ndalur procedurat.

Vetëm një ditë pas raportimit të KOHËS, është mbajtur testimi me shkrim i kandidatëve.

Për shkak të mospërfilljes së kërkesës dhe parregullsive ligjore në këtë proces, iniciativa Corrwatch është tërhequr nga monitorimi i fazave të tjera të këtij procesi.

E gjatë javës së ardhshme, pritet që të mbahet edhe një fazë tjetër testuese për shtatë kandidatët e përzgjedhur.