Nuk janë dhënë informacione në lidhje me hetimet e zhvilluara, pas rrëzimit të sërishëm të çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës, që la të lënduar rëndë një 23-vjeçare. Mjekët thanë se e reja ndodhet në mjekim intensiv, pasi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike në kokë.
Një ditë pas lëndimit të vajzës 23-vjeçare nga rrëzimi i kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë detaje për hetimet.
Në vend të përgjigjeve, Policia e ka dërguar raportin 24-orësh, e në të cilin nuk ndodhen përgjigjet e pyetjeve që i janë bërë.
Ndërkaq, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës e kanë dhënë një përgjigje të përafërt me një ditë më parë.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se gjatë ditës së djeshme prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të tij janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i kryer hetimet lidhur me këtë rast dhe varësisht nga gjetjet do ta trajtojë tutje këtë çështje, konform dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. , ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Pasditen e së enjtes, një 23-vjeçare ka marrë lëndime të rënda trupore pasi është goditur nga pjesë të çatisë së rrëzuar të objektit të ri të Komunës, që ndodhet në lagjen “Arbëria”.
Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka treguar se viktima ka pësuar lëndime në regjionin e kokës dhe se ajo i është nënshtruar intervenimit kirurgjik në kokë.
“Pacientja pas nënshtrimit të ekzaminimeve laboratorike dhe radiologjike i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik për arsye të gjakderdhjes që ka pasur në regjionin e kokës dhe intervenimi është kryer nga ana e mjekëve specialistë të Neurokirurgjisë”, ka thënë ai.
Uka ka thënë se ajo ka pësuar gjakderdhje në tru dhe ndodhet në kujdes intensiv.
Pas rrëzimit të sërishëm të çatisë së ndërtesës së re të komunës, hetime kanë kërkuar përfaqësues të opozitës në Komunën e Prishtinës, por edhe vetë kryetari Përparim Rama.