Policia e Kosovës tha se plani operativ për zgjedhjet në veri po zbatohet konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët.
Në komunikatën dërguar mediave mëngjesin e së dielës, Policia tha se për këtë proces janë angazhuar numër i mjaftueshëm i policëve, derisa synim tha se mbetet realizimi i detyrave në mënyrë profesionale.
Autoritetet policore iu bënë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet për raportimin e çdo rasti të kundërligjshëm.
“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend. Po ashtu vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, raportime këto të cilat do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në njoftimin policor.