Arbëri

Policia e Kosovës furnizohet me dronë nga SHBA-ja

Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar donacionin me 7 dronë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni të organizuar të mërkurën.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka falënderuar SHBA-në për furnizimin dhe për mbështetjen, “në veçanti gjatë ditëve kur kemi humbur njërin nga rreshterët tanë”. Ai e ka cilësuar jashtëzakonisht të nevojshëm dhe të çmueshëm donacionin nga SHBA-ja.

“Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të Policisë. Po ashtu edhe në monitorimin e kufijve dhe hetime. Janë dronë dhe pajisje që janë përzgjedhur dhe selektuar nga ekspertët e Policisë së Kosovës. Unë mund të garantoj ambasadorin (Jeffrey Hovenier, SHBA), që Policia të gjitha këto pajisje do t’i përdorë për qëllime të ligjshme në mënyrë që të sigurojë shërbime më kualitative për të gjithë qytetarët”, ka thënë Hoxha.

“Donacioni i sotëm e kompleton Policinë e Kosovës dhe ndihmon në zgjerimin e kapaciteteve të saj për të menaxhuar sa më mirë dhe sa më drejtë, në mënyrë profesionale po ashtu edhe sa më transparente punën e saj”, ka deklaruar më tej Hoxha. “Mendoj që edhe transparenca e datës 24 shtator, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzojë respektin në aspektin e punës që ka bërë atë ditë. Kjo është bërë përmes filmimeve që ne kemi marrë nga dronët”.

Fluturaket e pranuara, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i ka cilësuar “burim jetik për organet e zbatimit të ligjit në Kosovë”. “Sigurojnë mbikëqyrje dhe ofrojnë mbështetje taktike për misionet policore”, ka thënë ai duke shtuar se mund të përdoren për të luftuar kontrabandimin e migrantëve, narkotikëve e të tjera. Hovenier ka thënë se donacioni i fundit është vazhdimësi e qëndrimit mbështetës të SHBA-së për Kosovën.

“Për shkak se dronët mund të dislokohen shumë më shpejt sesa mjetet konvencionale, në raste emergjente, zyrtarët e organeve të zbatimit të ligjit në SHBA i konsiderojnë si pajisje që shpëtojnë jetë”, ka thënë Hovenier.

Hovenieri ka thënë se mbështetja amerikane është manifestim shtesë i besimit të SHBA-së në Republikën e Kosovës.

“Mbështetja jonë për Inspektoratin Policor të Kosovës gjithashtu tregon se ne i japim prioritet transparencës dhe llogaridhënies së oficerëve të zbatimit të ligjit gjatë aksioneve të tyre në përkrahje të zbatimit të ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga SHBA-ja janë ofruar në pesë vjetët e fundit mbi 20 milionë dollarë në formë të ndihmave, trajnimeve e donacioneve të pajisjeve për modernizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të organeve për sundim të ligjit në Kosovë.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj, ka thënë se IPK-ja synon të mbajë “nivel të lartë të standardeve dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës dhe nivelin e lartë të integritetit të zyrtarëve policorë”.

“Pajisjet e tilla të teknologjisë bashkëkohore siç janë këto modelet e dronëve do të na ndihmojnë edhe më shumë që të mbajmë lart nivelin profesional të Policisë dhe të monitorojmë edhe më lehtë praninë e zyrtarëve policorë. Besojmë që kjo do të përkthehet në shërbime më profesionale, më efikase dhe gjithmonë në zbatimit të ligjit dhe ofrim të sigurisë më të madhe për qytetarët e Kosovës pa dallim. Rastet e fundit në veri treguan nevojën se sa është e domosdoshme që Policia e Kosovës të jetë në nivelin e lart profesional dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i informacioneve për të evituar çfarëdo lloj rreziku që cenon sigurinë publike në Kosovë”, ka thënë ai.