Dy lokacione në Prishtinë janë bastisur të premten, pronë e dy të dyshuarve me inicialet F.M. dhe H.M.
Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës gjatë bastisjes në njërin lokacion, ka gjetur dhe sekuestruar shumën e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë euro.
Bëhet fjalë për Faruk Mujkën, kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë. Muzliukaj në kohën kur dyshohet për korrupsion ka qenë drejtor në Kadastër dhe Gjeodezi në Mitrovicë.
Ata janë arrestuar të premten.
KOHA deri më tani nuk ka arritur që të kontaktojë me përfaqësuesit ligjorë të dy të arrestuarve, për të marrë një qëndrim nga ana e tyre lidhur me rastin.
KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Oda e Avokatëve të Kosovës, lidhur me atë se a janë në dijeni se kush janë avokatet e të arrestuarve. Nga kjo Odë kanë thënë se nuk i marrin emrat e palëve edhe në rastet kur ata angazhojnë avokat për raste të caktuara.
KOHA ka provuar që të marr një përgjigje lidhur me këtë edhe në ndërmarrjen e “Ibër Lepencit”, ku Mujka është aktualisht kryeshef i Bordit, por kanë thënë se nuk kanë informata lidhur me rastin dhe se nuk e din se kush i përfaqëson.
Përgjigje për këtë nuk kanë dhënë as nga Ministria e Bujqësisë, ku punon Muzliukaj.
Prokuroria Speciale njoftoi se ekziston dyshimi se Mujka dhe Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.
Prokuroria Speciale në maj të vitit 2022 kishte pranuar informacione lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut.
“Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave. Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’”, njoftoi Prokuroria.