Arbëri

Polici në Gjermani fyen një shqiptar, videoja në TikTok bëhet virale

Prokuroria në Giessen të Gjermanisë ka nisur hetimet ndaj një polici për fyerje raciste ndaj një shqiptari, raporton “Giessener Allgemeine”.

Prokuroria ka thënë se hetimet janë më të vështira, pasi viktima nuk mund të merret në pyetje në Gjermani. Ai e ka të ndaluar hyrjen në Gjermani për shkak të një dënimi me burg.

Siç ka thënë kryeprokurori Thomas Hausburger, shqiptari 21-vjeçar do të merret në pyetje në vendlindjen e tij dhe është vënë kontakt me autoritetet shqiptare.

Në fillim të javës së kaluar shqiptari kishte postuar videon në TikTok, e cila u shpërnda shpejt.

Qysh në vitin 2020 ai e kishte postuar videon në YouTube, por ajo nuk kishte bërë bujë. Mirëpo, në videon në TikTok shihet një skenë tetësekondëshe, që thuhet se ka ndodhur në Berliner Platz në Giessen.

Në atë video polici i thotë një burri: “Ik nga këtu. Largohu mik, përndryshe e harroj veten. Ktheu në vendin tënd të derrave”.

Sipas Reinemerit, kjo ngjarje dyshohet se ka ndodhur në vjeshtën e vitit 2020.

Por, viktima kishte thënë për “Hessischen Rundfunk” se ngjarja ka ndodhur në vitin 2018.

Siç ka njoftuar Prokuroria çështja dhe se kur ka ndodhur ngjarja është objekt i hetimit.

Kreu i Policisë së Giessenit, Bernd Paul, është shprehur i shqetësuar me këtë video.

Ai ka thënë se këto deklarata raciste janë plotësisht të papranueshme. Ndaj policisë ka nisur një hetim disiplinor. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetime për fyerje dhe nxitje të urrejtjes.

Sipas informatave të gazetës gjermane, shqiptari 21-vjeçar kishte bërë disa shkelje dhe ishte arrestuar.