Arbëri

Podujeva miraton rregullore të re për ndarjen e subvencioneve

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar rregulloren e re për kushtet, kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve.

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se rregullorja e vjetër është nga viti 2012 dhe sipas tij, e njëjta ka pasur nevojë për plotësim-ndryshim. Osmani gjithashtu ka thënë se dokumenti i ri synon të sigurojë një transparencë dhe një ndarje më të drejtë të subvencioneve.

“Me këtë rregullore përcaktohen kushtet dhe kriteret që ia mundësojnë Komunës së Podujevës ndarjen e mjeteve pa kthim nga kategoria e subvencioneve për fushat përkatëse të cekura në këtë rregullore për personat fizikë dhe juridikë si dhe për vendosjen e një sistemi transparent dhe llogaridhënës në financimin e projekteve, aktiviteteve dhe dhënies së ndihmave për nevoja të ndryshme të qytetarëve”, është shprehur drejtori për Buxhet dhe Financa. “Në këtë rregullore për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve janë nga fusha e arsimit, zhvillimit ekonomik, bujqësisë, pylltarisë, zhvillimit rural, shëndetësisë, kulturës, etj. Qëllimi që kemi ardhë deri te ky propozim-ndryshim të kësaj rregulloreje është se kemi mendua që duhet të bëhen disa ndryshime kryesisht në transparencën dhe ndarjen e drejtë të subvencioneve”.

Por, këshilltarët opozitarë kanë pasur vërejtje, disa prej të cilave kanë qenë për ndarjet e mjeteve për klube sportive para se kjo rregullore të miratohet. Gazmend Islami nga OKBD, ka thënë se është bërë mbrapsht ndarja e mjeteve për sport.

“Te klubet bëhen përfitime marramendëse dhe kemi klube që përfitojnë një shumë që është për keqardhje. P.sh. klubi i volejbollit të femrave që është një krenari për Llapin që ka hy në Superligën e Kosovës iu kanë ndarë 800 euro. Një x-klubit-shkolle të futbollit i ndahen 3000 euro, përkundër që fëmijët duhet të paguajnë nga 30 euro në muaj që shkojnë aty dhe i ka së paku 250 fëmijë”, ka theksuar Gazmend Islami në ditën kur po diskutohej për këtë dokument. “Çfarë logjike ka që një klub i volejbollit që ka hy në Superligë me punën e madhe që e ka ba t’i ndahen 800 euro? Çfarë logjike ka që klubi të basketbollit që garon në ligat më të dobëta t’i ndahen 3000 euro? Kjo është logjikë e mbrapshtë. Unë nuk jam që mos me i përkrah të gjithë, po ata që janë më të suksesshëm duhet me i mbështet më shumë. Ma mirë ka qenë mos me ia nda hiç. Nëse ia keni ndarë sipas dostave, atëherë në rregull”.

Edhe Arjeta Abazi nga LDK ka thënë se çështja e kritereve për ndarjen e bursave për nxënës e studentë nuk është definuar si duhet as me këtë dokument të ri.

“Bursa në esencën e saj ka mbështetjen e nxënësve elitarë dhe ata me suskses shembullor, andaj tendenca që në këtë sistem të futen edhe kategori të tjera, të cilat për mua janë shumë të nderuara, e dëmton procesin dhe për këtë kemi për model vitin e kaluar. Nëse vërtetë dëshironi t’i ndihmoni nxënësit e familjeve në nevojë, gjeni forma tjera duke shpallë ekstra-thirrje përmes donatorëve, ose cilado qoftë mundësia, përkrahjen tonë si grup do ta keni përgjithmonë. Por, jo në këtë formë, sepse po i humb koncepti i bursës”, ka thënë këshilltarja Abazi.

Ajo ka kërkuar që të sëmurët të mbështeten 2-3 herë brenda vitit me terapi.

“Si është e mundur të nxirret rregullore për subvencione në bujqësi që rregullon përkrahjen e shoqatave, kur dihet se ekziston Rregullorja MF n.r 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve në nivel qendror dhe lokal?Në një rast hasa në termin kooperativa bujqësore. Nuk e di nëse ka kooperative funksionale në komunën tonë”, ka thënë këshilltarja nga radhët e LDK-së. “Te dëmet në bujqësi duhet të specifikon në mënyrë më të detajuar dhe të dihet ku mund të merren mjete për kompensim. Një vërejtje tjetër për kriteret për të aplikuar për fermerët ku kemi një mbingarkesë sa i përket dokumentacionit. Te zhvillimi ekonomik, përparësitë në ndarje të subvencioneve pika 2 bizneset e përcaktuara të paragrafit 1.3 dhe 1.4 mund të aplikojnë edhe jashtë kohës së aplikimit. Kjo bie ndesh me çdo rregullore dhe kritere për subvencione dhe mund të jetë edhe konflikt interesi, sepse i mundëson drejtorit ose komisionit ta favorizojë cilindo biznes që dëshiron. Andaj kjo pjesë mendoj se duhet të hiqet”.

Arjeta Abazi ka thënë se nuk duhet që fermerët të mund të përfitojnë vetëm njëherë gjatë një viti kalendarik.

Ndërsa, Gazmend Islami ka thënë se ky kriter duhet të mbetet në dokumentin e ri, pasi sipas tij, më herët nuk janë bërë ndarje të drejta.

“Dihet që ka pas njerëz të privilegjuar, sepse ka pas njerëz që kanë marrë subvencione nga 10 herë në vit. Nuk është në rregull kjo për mua. Dhe kriteri i vendosur për mua është i drejtë dhe e mbështes këtë propozim”, ka thënë ai.

Rregullorja e re është miratuar me shumicë të votave.