Kuvendarët e Podujevës i kanë bartur 151 mijë e 443 euro të hyra vetjake nga vitit 2022 në projektin e ndërtimit të Stacionit të ri të Autobusëve. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se nga 200 mijë euro sa kanë qenë të planifikuara nga Komuna për këtë projekt për këtë vit, tash janë bërë afër 352 mijë euro, krahas edhe 270 mijë euro që i ka të planifikuara për 2023 Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Bartja e të hyrave vetanake është miratuar në seancën e fundit të Kuvendin Komunal. Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve. Për këtë projekt komuna i ka planifikuar sivjet 200 mijë euro, kurse do të shtohen edhe 152 mijë nga bartja e të hyrave për realizimin e tërësishëm të projektit. Kurse Ministria e Zhvillimit Rajonal i ka të planifikuar këtë vit për mbështetjen e këtij projekti 270 mijë euro”, ka thënë zëdhënësi Zhitia.
Ky projekt ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar. Gjatë ceremonisë së gurthemelit, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pati thënë se ky stacion do të shërbejë edhe për linjat ndërkombëtare që e shfrytëzojnë pikën kufitare në Merdar.

“Ky projekt është në vazhdën e atyre premtimeve që po i realizojmë. Ky stacion do të na ndihmojë që të bëjmë organizimin e trafikut urban dhe po ashtu të gjitha linjat ndërkombëtare këtu do ta kenë vendndaljen dhe nga këtu do të nisen për linjat ndërkombëtare. Realizimi i këtij projekti do të bëhet ashtu siç e kemi planifikuar”, qe shprehur Bulliqi.
E ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, pati deklaruar se synimi është që të bëhet balancimi i projekteve nëpër komuna.
“Kam kënaqësinë që të jem prezent në fillimin e këtij projekti. Ne si Ministri kemi pas qëllim që të balancojmë projektet në Kosovë dhe do të kemi barazi në projekte nëpër komuna. Ne si Ministri kemi për synim që të ndërtojmë kapacitetet nëpër komuna që ndihmojnë në zhvillimin e tyre”, pati deklaruar ai.
Ndërtimi i Stacionit të ri të Autobusëve bëhet në bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal. Por, në ditën e vënies së gurthemelit, edhe zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pati bërë të ditur se kanë ndarë 60 mijë euro për këtë projekt.