Gjatë rregullimit të shtratit të lumit Silnica në Vushtrri janë vendosur pllaka betoni në vend të atyre nga graniti e mermeri, thotë Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, që iu referohet pasqyrave financiare të Komunës së Vushtrrisë. Auditorët kanë gjetur edhe abuzime të tjera, pas inspektimit që i kanë bërë zbatimit të kontratës në vlerë mbi 1.1 milionë euro
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi në kontratën me vlerë mbi 1 milion euro për rregullimin e shtratit të lumit Silnica të Komunës së Vushtrrisë.
Gjatë inspektimit të auditorit të jashtëm është konstatuar se pagesat e ekzekutuara nga Komuna, si dhe punimet dhe furnizimet nga kompania e kontraktuar nuk janë realizuar siç është kërkuar me paramasë. Raporti tregon se janë vendosur pllaka betoni në vend të atyre nga graniti e mermeri.
“Furnizimi, transporti dhe vendosja e pllakave njështresore nga graniti dhe mermeri me granit natyral, me ngjyrë të zezë me granulat graniti nero 2-4 mm sipas detalit në projekt, nuk janë vendosur siç është përcaktuar me paramasë dhe parallogaritë, as nga përmbajtja/materiale as nga ngjyra. Testet e bëra për këto pllaka përcaktojnë se janë pllaka betoni”, thuhet në raportin e auditorit.
Në raport tregohet se kompania e kontraktuar nuk ka përfunduar as ngjyrosjen e shtegut të biçikletave me material të epoksit, siç ishte paraparë në kontratë.
“Në aneks kontratën për këtë projekt, sipas paramasës dhe parallogarisë pjesa 3, Punët e shëtitores dhe shtegut të biçikletave, pozicionin 3.8, nuk ishte bërë ngjyrosja/lyerja me material të epoksit e shtegut të biçikletave në sasi 156m2 në vlerë 4680 euro”.
Në Komunën e Vushtrrisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS, përkitazi me këto gjetje, por sugjeruan të lexohen komentet që janë dhënë për raportin.
Kryetari Ferit Idrizi, përmes një letre-konfirmimi adresuar Zyrës së Auditorit, pranoi parregullsitë e auditorit.
“Pajtohem me gjetjet dhe rekomandimet dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e Raportit: Draft-raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Vushtrrisë për vitin 2023. Brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final, do t’ju dorëzoj në plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”, ka thënë Idrizi.
E në një konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Komunën e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kërkoi nga Prokuroria Speciale të hetojë gjetjet e Auditorit.
“ZKA përmes gjetjeve në raportin e auditimit vërteton shkelje të rënda të ligjit, keqpërdorim të buxhetit si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit në Komunën e Vushtrrisë. Të gjitha këto shkelje përbëjnë elemente të veprave penale të cilat Prokuroria Speciale duhet t’i hetojë. Zyrtarisht Komuna e Vushtrrisë e ka nivelin më të dobët të performancës nga të gjitha komunat në nivel vendi”, ka thënë Tahiri.
Shuma financiare e kontratës për “Rregullimin e shtratit të lumit Silnica”, kap vlerën 1 milion e 50 mijë euro, së cilës i janë shtuar edhe 106 mijë euro me aneks-kontratë.
Përveç parregullsive në këtë kontratë, Auditori ka evidentuar parregullsi edhe në atë për renovimin e palestrës sportive “Jeton Tërstena”, në kontratën për sinjalizimin në katër hyrje të qytetit, si dhe në kontratat për ndërtimin e kanalizimeve në territorin e Komunës.