Programi i inkubimit të bizneseve të reja do të realizohet brenda Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.
Për jetësimin e këtij programi të enjten janë dakorduar përfaqësues të Komunës së Prizrenit, GIZ-it gjerman dhe ata të “Makerspace”, duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëfinancimit.
Enis Qafëleshi nga Makerspace ka theksuar se marrëveshja e bashkëpunimit synon ngritjen e përforcimin e qëndrueshëm të bizneseve të reja, me një program unik të paofruar më parë në rajonin e Prizrenit.
“Duke qenë si i tillë, programi synon mbështetjen e qindra të rinjve dhe të rejave të rajonit të Prizrenit për të lehtësuar ngritjen e bizneseve start-up dhe si të tilla synon qëndrueshmërinë e tyre përbrenda një hapësire të dedikuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve", ka theksuar Qafëleshi.
Drejtor i GIZ-it për Kosovë, David Oberhuber, ka pohuar se ky program është i nevojshëm për plotësimin e ekosistemit të inovacionit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.
“Mendoj se kjo është një gjë që nevojitet si shërbim shtesë për të krijuar një ekosistem të invacionit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve dhe jemi të lumtur që Makerspace po e merr përsipër këtë punë, për të ofruar shërbime të tilla si pjesë e sistemit të Parkut”, ka deklaruar Oberhuber.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se qeveria lokale ka gatishmëri që të mbështesë ide të tilla, që i kontribuojnë zhvillimit lokal.
Sipas tij, bashkëpunimet e kësaj natyre do të rriten në të ardhmen.