Të shqetësuar me gjendjen në të cilën ndodhen, shoqatat e transportuesve privatë të transportit urban në Prishtinë, ka disa herë që kërkojnë sqarime nga Komuna e Prishtinës, raporton KTV.
Pjesëtarët e shoqatës thonë se kanë kërkuar takim me kryetarin Shpend Ahmeti, për të kuptuar të ardhmen e tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ata thonë se kanë pritur të lexojnë e shohin planin e mobilitetit, por atë nuk po ia japin zyrtarët komunalë.
Sipas tyre, komuna po e mban sekret planin e mobilitetit.
Derisa edhe ekipi i emisionit 038 e ka kërkuar disa herë planin e mobilitetit i cili përcakton linjat e reja, Zëdhënësi Adonis Tahiri, ka thënë se ai do të publikohet, pasi që t’i dorëzohet asamblesë komunale.
Por, ndryshe thonë përfaqësuesit opozitarë në Kuvendin Komunal. Për LDK-në dhe PDK-në, udhëheqësit komunalë kanë heshtur në kërkesën e tyre për të parë planin e mobilitetit.
Përderisa ekziston plani i mobilitetit e edhe autobusët e rinj, komuna e Prishtinës ende ka në fuqi rregulloren e vjetër për transport publik dhe asnjë hap nuk është bërë për krijim të rregullores së re.