Kapitenë, majorë e nënkolonelë të Policisë së Kosovës, në 25-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, kanë rrëfyer për kohën kur veshën për herë të parë uniformën e saj. Ata u kanë bërë thirrje gjeneratave të reja që të ndjekin rrugën e tyre, duke e konsideruar privilegj shërbimin për më shumë siguri, rend e ligj. Gjenerata e parë e institucionit, që në atë kohë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, numëronte 176 pjesëtarë, ndërsa tash afro 10 mijë
Nënkolonelja Zylfije Dema e mban të freskët ditën kur para 25 vjetësh veshi për herë të parë uniformën e Policisë së Kosovës. Dema, që sot është drejtoreshë e Divizionit për Policim në Bashkësi, thotë se shërbimi ndaj atdheut është ndjenjë e veçantë.
“Jam gjenerata e dytë e Policisë së Kosovës. Uniformën e kam veshur prej 29 nëntor 1999. Sot është një ndjenjë e veçantë, është një festë jo vetëm për Policinë e Kosovës, mirëpo për të gjithë shtetin e Republikës sonë, për arsye se jo vetëm sot, por çdo vit kalendarik nga viti 1999 Policia e Kosovës në çdo sekondë i shërben popullit të vet”, është shprehur Dema.
Tre vjet pas themelimit, Policisë së Kosovës iu bashkua edhe kapiteni Blerim Salihu. Ai thotë se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e një institucioni të besueshëm.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam pjesë e këtij institucioni kaq të besueshëm dhe kaq kredibil. Unë kam filluar karrierën time që nga vitit 2002. Tash pothuajse gati 23 vjet jam rritur me këtë organizatë dhe organizata jonë është një familje e madhe, me ç’rast ngërthen më vete shumë vlera pozitive, njerëzore, integritet e moral të lartë të zyrtarëve policorë anembanë vendit”, ka thënë Salihu.
Krahas nderit dhe privilegjit, mbajtja e uniformës policore shoqërohet edhe me sfidat në aspektin e sigurisë.
Por, ish-komandanti i Njësisë Speciale, major Amir Gërguri, që tash mban postin e drejtorit të Divizionit për Njësi Speciale, thotë se angazhimi për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe sovranitetit të vendit i tejkalon të gjitha.
“Detyra e Policisë së Kosovës është sfiduese, ka rrezik, mirëpo kur e ke besimin te qytetarët, kur kthehemi mbrapa dhe e shohim çfarë niveli të përgatitjes ka arritur Policia e Kosovës bashkë me institucione të tjera të sigurisë, sigurisht që jemi të përgatitur të menaxhojmë çdo situatë të mundshme. Rasti i fundi para një viti kur heroi Afrim Bunjaku ka rënë në kryerjen e detyrës sigurisht se neve edhe një herë na ka dhënë një shtytje, një motiv shtesë që të punojmë edhe më shumë me qëllim që të përgatitemi të menaxhojmë çdo situatë që na paraqitet në Republikën tonë”, ka thënë Gërguri.
Major Gërguri në çerekshekullin e themelimit të Policisë së Kosovës ftoi gjeneratat e reja t’i bashkohen Policisë e të mbajnë me krenari uniformën e saj.
“Sot janë kushtet shumë më të mira se para 25 vjetëve dhe shfrytëzoj rastin edhe tash t’i thërras të gjithë ata të rinj e sidomos të rejat të na bashkëngjiten, sepse nuk ka asnjë ndjesi më të mirë se kjo kur e vesh uniformën dhe del e përkujdesesh për sigurinë e tjerëve, për jetën e tjerëve, kjo është ndjesi që vetëm ne që e provojmë që jemi shërbyes të këtij vendi, dimë me tregu më së miri”, ka thënë Gërguri.
Thirrjes i është bashkuar edhe nënkolonelja Zylfije Dema, e cila thotë se Policia është një organizatë e madhe me një mision të shenjtë.
“U bëj apel të gjithë të rinjve, si femrave, ashtu edhe meshkujve, që t’iu bashkëngjiten Policisë së Kosovës, për arsye se t’i shërbesh popullit tënd është një nder, është një privilegj dhe është një ndjenjë e papërshkrueshme”.
Më 6 shtator 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë hapi Shkollën e Policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. 176 pjesëtarë ishin nga gjenerata e parë e institucionit që në atë kohë mori emrin Shërbimi Policor i Kosovës. Ndërkaq sot institucioni i Policisë numëron një staf prej 10 mijë personash.