Arbëri

Pjesëtarë të komuniteteve pakicë shfrytëzojnë për banim pusetën në oborrin e UP-së

Pa kapak mbrojtës është lënë tash e sa kohë një pusetë brenda hapësirave të kampusit të Universitetit të Prishtinës, përballë hyrjes së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Të njëjtën po e shfrytëzojnë për banim pjesëtarë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, në mesin e të cilëve edhe foshnje.

Për këtë çështje, zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë thënë KOHËS përmes telefonit se nuk është nën kompetencën e tyre dhe se me këtë duhet të merret niveli lokal.

E, nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës thonë se nuk kanë qenë të informuar rreth kësaj.

‘’Kjo pusetë mund të jetë e ujësjellësit, ‘Termokosit’ apo KEDS-it. Nuk e kemi pasur informatën që po shfrytëzohet për banim. I dërgojmë ekipin e mbrojtjes dhe të shpëtimit për ta bërë konstatimin e rrezikut dhe pastaj e përcjellim tek organet përkatëse. Për këtë shfrytëzim që po bëhet tani, mund të ndërmarrë diçka edhe policia”, ka thënë Medina Braha nga kjo drejtori.

Ndërkohë, nga ngrohtorja “Termokos” thonë se puseta vazhdimisht është shfrytëzuar si vend për banim nga persona të ndryshëm, ndërkohë që nuk është treguar arsyeja se përse ajo ka mbetur e hapur.

“NP ‘Termokos’ i ka larguar disa herë personat që kanë shfrytëzuar pusetat tona për strehim. Por, ata janë rikthyer sërish. Rëndom ata nuk kanë qenë shtetas kosovar. Ajo që vlen të cekim është se ata asnjëherë nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm në gypat apo pusetat tona. Andaj, duke pasur parasysh gjendjen e tyre, nisur edhe nga aspekti humanitar, nuk kemi marrë masa të tjera kundër tyre”, thuhet në përgjigjen e “Termokosit”.

Për këtë çështje, KOHA ka pyetur edhe Policinë e Kosovës, porse ajo nuk ka kthyer përgjigje.