Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka prezantuar përgatitjet për testin ndërkombëtar PISA 2025, i cili këtë vit do të fokusohet në shkencë dhe sfidat mjedisore. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar takime me shkollat, Institutin Pedagogjik dhe Fakultetin e Edukimit për të mbledhur sugjerime mbi përmirësimin e sistemit arsimor.
“Kjo përfshinte rishikimin e teksteve, riorganizimin e shkollave dhe krijimin e mekanizmave për informim dhe mbikëqyrje. Mbështetja e nxënësve është thelbësore për arritjen e rezultateve më të mira”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, rezultatet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregojnë se mësimdhënësit nuk kanë pasur mundësi të dedikojnë kohë të mjaftueshme për secilin nxënës, një aspekt që duhet përmirësuar.
Ndërkaq, Fatmir Elezaj, drejtor i Qendrës për Standarde dhe Vlerësim në MASHTI, sqaroi se testi i këtij viti do të matë aftësitë e nxënësve në përdorimin e teknologjisë për të mësuar, si dhe do të përfshijë një pyetësor mbi motivimin dhe angazhimin e tyre.
“Janë përzgjedhur 239 shkolla dhe rreth 7,300 nxënës për të marrë pjesë në këtë vlerësim”, u shpreh Elezaj.
Drejtori i OECD për Arsim dhe nismëtari i PISA-s, Andreas Schleicher, në një video-lidhje theksoi se testi nuk mat kujtesën e nxënësve, por aftësinë e tyre për të menduar si shkencëtarë dhe matematicienë.
“Nxënësit në Kosovë tregojnë një mirëqenie psikologjike më të lartë krahasuar me vendet e tjera dhe kanë qëndrueshmëri emocionale. Megjithatë, është e nevojshme të përmirësohet performanca në matematikë dhe shkencë për të arritur sukses akademik. Nxënësit në Kosovë janë të lumtur, por jo edhe akademikisht të suksesshëm”, ka thënë ai.
Testi PISA 2025 pritet të mbahet mes 17 marsit dhe 9 majit.
Në testin e fundit, në vitin 2023, Kosova u rendit ndër vendet e fundit.