Arbëri

Nënkryetari i Listës Serbe udhëhoqi grupin që sulmoi policinë

Lista Serbe

Lista Serbe e as Beogradi nuk janë distancuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, pas publikimit të pamjeve se ai ka qenë udhëheqës i grupit kriminal që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën. Zyrtarë të Qeverisë thonë se kjo dëshmon se sulmi ka qenë i planifikuar dhe i mbështetur politikisht nga Serbia me qëllimin final shpalljen e autonomisë së serbëve tek Ura e Ibrit. Pavarësisht kërkesave për shpalljen e Listës Serbe organizatë terroriste, njohës të rrethanave thonë se për momentin ky nuk do të ishte vendim i duhur nga ana e institucioneve të Kosovës, pa u përmbushur disa parakushte

Nënkryetari në arrati i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ka udhëhequr grupin e sulmuesve serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku të dielën. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë qeveritarë të martën pas publikimit të pamjeve nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e ku brenda manastirit të fshatit shihet Radojçiq. Përveç ndodhjes në arrati prej vitesh pas aktakuzës nga organet e Kosovës, Radojçiq po ashtu është pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se plani i serbëve ishte destabilizimi i veriut dhe shpallja e autonomisë tek ura e Ibrit.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Sveçla ka shtuar se grupi udhëhiqej nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, nën urdhrat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar, të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin Policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, ka thënë ministri Sveçla.

Lista Serbe nuk distancohet nga veprimet e Radojçiqit

Lista Serbe e as Beogradi zyrtar nuk janë distancuar nga veprimet e Radojçiqit.

Në përkrahje të sulmuesve të vrarë, Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në zonat me shumicë serbe në Kosovë. Një ditë më herët, brenda një komunikate ky subjekt shprehu ngushëllime për policin e vrarë, si dhe akuzoi Qeverinë për persekutim të serbëve në veri.

Edhe Qeveria e Serbisë, në përkrahje të sulmuesve të vrarë në veri të Kosovës ka shpallur 27 shtatorin ditë zie.

“Qeveria e Serbisë u kërkon mediave dhe organizatorëve të ngjarjeve publike të përshtatin programin e tyre me ditën e zisë të mërkurën, 27 shtator, ashtu që të respektojmë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

Pas përfshirjes së Radojçiqit në aksionin kundër Policisë së Kosovës ka kërkesa që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste. Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se ky subjekt qëndron mbrapa skenarit të sulmeve.

“Ekziston dyshimi serioz dhe i provuar që në krye të terroristeve në Banjskë qëndron nënkryetari i Listës Sërpska, famëkeqi Radojçiq. Në bazë të këtyre indicieve dhe provave ligjore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me ngritjen e aktakuzave për përfshirje të tij në veprimtari terroriste e legjitimon arsyen që kjo parti djallëzore e Beogradit të shpallet jokushtetuese dhe t'i ndalohet çfarëdo veprimi dhe organizimi politik në Kosovë!”, ka shkruar Qorrolli. “Terrorizmi nuk është organizim sall individual, në këtë rast Lista Sërpska qëndron mbrapa tërë organizimit të sulmeve fashiste ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit dhe është përgjegjëse për vrasjen e, tashmë Heroit të Kosovës, rreshter Afrim Bunjakut”.

Mbështetja e Beogradit

Hulumtues të sigurisë thonë se ndërmarrja e Radojçiqit me grupin e tij nuk do të mund të bëhej pa mbështetje politike të Beogradit zyrtar. Shpat Balajt, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë se kjo në fakt nuk është diçka e re për shkak se tashmë dihet përfshirja e nënkryetarit të Listës Serbe me grupe të ndryshme kriminale, por gjithashtu edhe me grupe të ekstremit të djathtë në Serbi.

“Gjithashtu e kemi parë çdo ditë dhe dëshmohet përkrahja e madhe politike që e ka ai person prej shtetit të Serbisë. Tashmë kemi edhe një dëshmi publike të përfshirjes direkte të tij. Përveç kësaj, kjo tregon se sulmi terrorist që ka ndodhur para dy ditësh nuk është një organizim ‘ad hoc’ i një komuniteti të caktuar në Kosovë, por është një organizim që e ka një përkrahje të gjerë politike që po vazhdon ta ketë edhe pas atij sulmi. Kjo dëshmohet me shpalljen e ditës së zisë në Serbi për viktimat e atij aksioni”, ka thënë Balaj.

Balaj ka shtuar se edhe ndoshta ka bazë të mjaftueshme për ta shpallur terroriste Listën Serbe, për momentin ky nuk do të ishte veprimi më i mençur i institucioneve të Kosovës.

“Teorikisht mund të shtyhet dhe ndoshta ka bazë të mjaftueshme nëse vërtetohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e një figure të lartë politike siç është Milan Radojçiq. Ai zyrtarisht është nënkryetar, por ‘de facto’ e dimë se ai është personi që e kontrollon Listën Serbe në Kosovë. Por praktikisht nuk mendoj se kjo do të ishte veprimi më i mençur i institucioneve të Kosovës, sepse megjithatë Lista Serbe është një parti e cila e gëzon njëfarë mbështetje në mesin e komunitetit serb, edhe pavarësisht të gjithave ata janë përfaqësues politikë që janë votuar prej atij komuniteti për t’i përfaqësuar interesat dhe zërin e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Balaj.

“Por nëse Lista Serbe nuk distancohet nga veprimet e Radojçiqit dhe vazhdon me të njëjtin avaz, ta ketë ndikimin e njëjtë, pozitat e njëjta dhe vazhdon të strehohet nga Serbia, pavarësisht të bëmave të tij, unë mendoj se humbet legjitimiteti i Listës Serbe dhe kjo tregon për nevojën e opsionet e reja politike në mesin e komunitetit serb”.

Mbytja e pluralizmit politik në veri

Lista Serbe u krijua në vitin 2013 pas marrëveshjes që për herë të parë Kosova t’i organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore. Edhe pse subjekti që mbështetet nga Beogradi zyrtar i ka fituar të gjitha zgjedhjet, raporte vendore e ndërkombëtare kanë konstatuar mbytjen e pluralizmit politik në mesin e komunitetit serb.

Sipas Shpat Balajt (QKSS), përfshirja e Radojçiqit është tregues për kapjen politike që Lista Serbe ia ka bërë komunitetit serb në veri.

“Përfshirja direkte e Radojçiqit në këtë aksion fatkeqësisht mendoj se e ul tutje Agjencinë e Komunitetit serb në Kosovë, por edhe tregon në njëfarë forme kapjen politike në mesin e këtij komuniteti. Në fakt që prej vrasjes së Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës në mesin e komunitetit serb ekziston një qasje monopartiake dhe nuk ka alternative të tjera politike”.

Edhe atëherë kur potencialisht mund të ketë, sipas Balajt, ata zëra shuhen prej qarqeve që përkrahen drejtpërdrejt edhe prej Serbisë.

“Në këtë situatë është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës mos me ndërmarrë veprime të ngutshme për t’u siguruar që komuniteti serb ka siguri, gjithashtu edhe të sigurohet që të ketë zëra alternativë në mesin e komunitetit serb që kishin mund me i shty përpara interesat dhe nevojat e veta përkatëse dhe nuk kishin me qenë peng të figurave që janë të lidhura me krimin e organizuar dhe grupe të ndryshme ekstreme, siç është në këtë rast edhe Milan Radojçiq”, ka potencuar Balaj.

Të dielën një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar kryesisht me serbë. Po ashtu janë konfirmuar tre të vrarë nga grupi sulmues, ndërsa tetë të tjerë janë arrestuar.

Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e të uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë është raportuar se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.