Në episodin e pestë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi dhe mysafiri i këtij episodi, historiani austriak Florian Bieber, kanë diskutuar për rënien e demokracisë në shekullin XXI, rritjen e liderëve autoritarë dhe çështjen e mbrojtjes së Evropës me ose pa NATO-n.

Surroi: Faza përfundimtare e normalizimit Kosovë – Serbi, jetesa në paqe e të dy popujve

1 d. më parë / 6 pri 2025 21:02
Veton Surroi

Në një bashkëbisedim të thellë në podcastin PIKË me historianin austriak Florian Bieber, publicisti Veton Surroi ka diskutuar për perspektivat e ardhshme të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se normalizimi i këtyre marrëdhënieve është një proces që kërkon angazhim të vazhdueshëm, jo vetëm nga ky brez, por edhe nga brezat e ardhshëm.

Surroi theksoi se faza përfundimtare duhet të jetë një periudhë paqeje dhe bashkëjetese mes dy vendeve, ku shoqëritë të ndihmojnë njëra-tjetrën në krijimin e një kulture paqeje. Ai shtoi se, megjithëse njohja e Kosovës nga Serbia mund të ndodhë menjëherë, urrejtja mes popujve mund të vazhdojë për shumë vite, dhe ky do të jetë një sfidë e madhe.

“Ka disa faza. Faza përfundimtare në të cilën duhet të aspirojmë është një fazë në të cilën Kosova dhe Serbia jetojnë në paqe. Edhe në një kulturë paqeje. Nëse ne i normalizojmë marrëdhëniet sot, Serbia e njeh Kosovën sot, do të ketë ende urrejtje në shoqëritë tona për shumë vite përpara dhe kështu ne duhet ta mendojmë atë si një fazë, faza përfundimtare e normalizimit tonë duhet të jenë vendet dhe popujt tanë që jetojnë në paqe. Si pjesë e një rajoni shumë paqësor si pjesë e një Evrope paqësore”, ka thënë ai.

Në përgjigje të pyetjes për pritshmëritë e tij lidhur me Serbinë dhe ndikimin e nacionalizmit serb, Surroi theksoi se për të arritur një normalizim të vërtetë, duhet të bëhet një normalizim i brendshëm i të dyja shteteve.

“Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nëse nuk ka normalizim të Serbisë në fillim, dhe normalizim të Kosovës, natyrisht përbrenda. Jemi në fazën në të cilën mund t'i shohim gjërat duke lëvizur, duke evoluar pozitivisht në Serbi sepse sapo të filloni të kujdeseni për Serbinë dhe të mos kujdeseni për mënyrën se si po udhëhiqet Podgorica ose Banjalluka apo niveli i përfshirjes apo drejtimi që kanë serbët e Kosovës apo asociacioni i komunave, gjëra të tilla, atëherë ju në fakt po përpiqeni të rregulloni shtëpinë tuaj. Dhe një shtëpi që është në rregull atëherë mund të komunikojë me shtëpi të tjera”, u shpreh Surroi.

Bieber, duke e përmbyllur bisedën, e cilësoi këtë perspektivë si një vizion optimist për të ardhmen, me Surroin që shprehu shpresën për një mundësi të vërtetë paqeje.

Surroi: Kosova duhet t’i ruajë marrëdhëniet me SHBA-në, s’ka rrugë tjetër

1 d. më parë / 6 pri 2025 20:58
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi siç thotë ai, Bashkimi Evropian nuk ofron të njëjtën mundësi komunikimi për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare.

Në një bisedë në podcastin PIKË në KTV, historiani Florian Bieber e pyeti Surroin nëse Kosova duhet të bëjë një zgjedhje midis SHBA-së dhe BE-së, duke pasur parasysh se marrëdhëniet e vendit me këto dy aktorë po kalojnë në një periudhë të tensioneve dhe ndryshimesh. 

Surroi ka thënë se lidhja e Kosovës me SHBA-në është emocionale, duke pasur parasysh mbështetjen e fortë nga Amerika për pavarësinë e Kosovës dhe rolin e saj kyç në ruajtjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës. Ai e theksoi se Kosova është një nga vendet më proamerikane në botë, dhe ky raport ka qenë thelbësor për të kaluar nëpër sfidat e periudhës pas shpalljes së pavarësisë.

Megjithatë, Surroi e përmendi se tani, si në vitin 1989, Kosova duhet të marrë vendime racionale dhe të përcaktojë se ku po shkon bota. Ai e theksoi nevojën e Kosovës për t’u përshtatur me rrjedhat historike të ripërcaktimit të identitetit evropian, duke u angazhuar për integrimin euroatlantik dhe duke siguruar një demokraci funksionale.

Surroi theksoi gjithashtu se raporti me SHBA-në është i nevojshëm, pasi BE-ja nuk ofron të njëjtën mundësi komunikimi për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtete anëtare. Ai shtoi se nuk ka mundësi tjetër për Kosovën përveçse të vazhdojë me marrëdhëniet e forta me SHBA-në, ndërkohë që përkushtimi i Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian duhet të mbetet një prioritet i pazëvendësueshëm.

Bieber kritikon BE-në: Kosova është shpërblyer pak për zhvillimin e demokracisë

1 d. më parë / 6 pri 2025 20:46
Florian Bieber

Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, Florian Bieber, ka thënë se Kosova është shpërblyer pak nga Bashkimi Evropian për demokracinë e fuqishme që e ka zhvilluar. Në diskutimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Bieber u shpreh se në rajon, Kosova ka treguar më së shumti gatishmëri për ta forcuar demokracinë.

Surroi e ngriti një pyetje të rëndësishme duke e konsideruar situatën e Kosovës si të vështirë për të avancuar më tej në forcimin e demokracisë zgjedhore dhe përpjekjen për të ndërtuar një demokraci funksionale, ndërsa konsiderohet si “lëkundëse e varkës”. 

Bieber, nga ana e tij, e pranoi se është paradoksale që në dekadën e fundit shumë vende të rajonit janë bërë më pak demokratike, ndërsa Kosova ka treguar zhvillim pozitiv në këtë drejtim. Ai theksoi se ndryshimet e qeverisë dhe funksionimi i zgjedhjeve janë dëshmi e një demokracie të fuqishme, por shtoi se Kosova ka fituar pak shpërblime nga ky avancim. Sipas tij, autokratët, siç është presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përdorin këtë si mundësi për të kritikuar dhe shfrytëzuar mangësitë e demokracisë në rajon, duke e paraqitur Kosovën si "budalla" që bën kompromise dhe nuk merr asgjë në këmbim.

Bieber e konsideroi si një gabim të madh të Bashkimit Evropian investimin në autokratë dhe theksoi se shpërblimi i atyre që kërcënojnë rendin ndërkombëtar dhe i injorimi i miqve të besuar, siç është rasti i Kosovës, është një politikë e gabuar. Ai e mbylli diskutimin duke theksuar se në fund të fundit, kjo sjell një pasiguri të madhe dhe jo një përfitim të vërtetë për vendet që angazhohen për stabilitet dhe demokraci.

Bieber: NATO-ja mund të mbijetojë edhe pa SHBA-në

1 d. më parë / 6 pri 2025 20:27
Florian Bieber

Historiani austriak, Florian Bieber, beson se aleanca ushtarake NATO mund të mbijetojë edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një diskutimi në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi.

Surroi e hapi diskutimin duke pyetur nëse procesi i shkëputjes amerikane nga angazhimet globale është i pakthyeshëm, duke përmendur se ky proces ka nisur që nga administratat e George W. Bush, Barack Obama dhe Joe Biden. Ai ngriti një pyetje thelbësore: a mund të kemi dy NATO, një të udhëhequr nga SHBA dhe një tjetër të pavarur evropiane?

Bieber, nga ana e tij, e konsideroi mbijetimin e NATO-s si të mundshëm, edhe pa SHBA-në, duke theksuar se strukturat e sigurisë mund të funksionojnë pa mbështetje direkte nga Amerika. Sipas tij, NATO mund të vijojë të ekzistojë, por kjo kërkon një angazhim më të madh nga shtetet anëtare për të mbrojtur aleatët, edhe nëse SHBA-ja nuk është pjesë e përpjekjeve të tilla. Ai po ashtu përmendi mundësinë që shtetet si Australia, Zelanda e Re dhe Japonia të bashkëpunojnë me Evropën në kuadër të një marrëveshjeje globale të sigurisë.

Surroi theksoi se Evropa ka një mundësi të madhe për të shfaqur veten si një lojtar botëror, duke u detyruar të veprojë pas një periudhe të pasigurisë dhe pasiviteti. Ai theksoi se, për të qenë një zë i fortë, Evropa duhet të formojë një koalicion të shteteve që kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe të injorojë ata që pengojnë avancimin, siç janë disa shtete të tjera anëtare të BE-së.

Bieber përmendi se ky bashkëpunim mund të jetë çelësi për Evropën që të zhvillohet si një fuqi e vërtetë globale, ku do të kishte mbrojtje dhe politikë të përbashkët. Sipas tij, vetëm duke u bashkuar dhe duke e pasur një zë të vetëm, Evropa mund të ndikojë dhe të mbrojë interesat e saj në skenën botërore.

Bieber: Numri i demokracive në botë po bie në mënyrë drastike

1 d. më parë / 6 pri 2025 20:09
Florian Bieber

Në një bisedë të zhvilluar në podcastin PIKË mes publicistit Veton Surroi dhe historianit Florian Bieber, diskutimi në fillim u fokusua mbi rënien e demokracive në mbarë botën dhe pasigurinë që po shoqëron këtë fenomen.

Surroi theksoi se rënia e demokracive është një trend i shekullit të 21-të, që ka filluar shumë më herët sesa periudha e ardhjes në pushtet të Donald Trumpit. Ai e lidhi këtë rënie me zhvillimet në Evropë, duke përmendur që për shumë shtete të lindjes, si Gjeorgjia dhe Ukraina, pasiguritë kanë filluar që nga viti 2007 dhe 2014. 

"Ky është shekulli i rënies së demokracisë dhe i rënies së sigurisë", ka thënë Surroi.

Nga ana tjetër, Bieber e pranoi se rënia ka vazhduar për dy dekada, por nënvizoi se tani po shohim një rënie më drastike, duke përfshirë edhe demokracitë më stabile. Ai e konsideroi këtë fenomen si një sfidë të re, ku tani është e vështirë të besojmë se demokracitë e pasura dhe të stabilizuara nuk do të bëhen autoritare. 

"Një nga rregullat e arta është që demokracitë stabile nuk bëhen autoritare, por ky rregull tani është në rrezik", shtoi ai.

Bieber theksoi gjithashtu se, ndonëse rënia e demokracisë duket trend i pashmangshëm, beson se kjo mund të ndryshojë. Ai përmendi periudhën e pas vitit 1989, kur shumë ishin të bindur se rritja e demokracisë ishte e pashmangshme, dhe tani, përkundrazi, “rrezikojmë të mendojmë se rritja e autokratëve është e pashmangshme, por kjo nuk është e vërtetë”.

Bieber gjithashtu e theksoi rëndësinë e rolit të Shteteve të Bashkuara, që ka pasur ndikim të madh në botë, por ky ndikim sipas tij, mund të kthehet edhe në një model për autokratët, siç po e shohim tani me ndikimin e Trumpit në politikën globale.