Në episodin e gjashtë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi dhe mysafirja, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, kanë diskutuar për protestat e studentëve në Serbi dhe mosmbështetjen e Bashkimit Evropian për to, ndikimi i kthimit të Trumpit për Ballkanin Perëndimor e çështje të tjera.

Surroi: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk është çështje mbi të gjitha çështjet

2 d. më parë / 13 pri 2025 21:18
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është çështje mbi të gjitha çështjet, por është pjesë e një marrëveshjeje shumëpalëshe, në një diskutim në podcastin PIKË me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Biserko ngriti pyetjen nëse njohja e Kosovës nga Serbia është ende çështja qendrore në këtë proces. Për Surroin, njohja nuk përbën qëllimin përfundimtar, por është vetëm një pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë shumëpalëshe.

“Njohja është thjesht partneritet. Nuk mund të flasësh me dikë e të mos ia pranosh emrin. Në thelb, kemi nevojë për një rrjet traktatesh që e bashkon rajonin në siguri, ekonomi e mjedis, dhe e integrojnë natyrshëm në Bashkimin Evropian”, u shpreh Surroi.

Ai theksoi se subjektiviteti i Kosovës duhet të pranohet që të mund të ndërtohen marrëdhënie reale dhe funksionale. Megjithatë, sipas tij, njohja formale nga Serbia mund të vijë vetëm me një gjeneratë të re politikanësh dhe përmes një procesi më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar.

Biserko ngriti shqetësimin për ngecjen e dialogut dhe pyeti nëse emërimi i ndërmjetësit të ri, Peter Sorensen, mund ta ndryshojë situatën. Surroi, duke theksuar se është i përfshirë si konsulent në proces dhe për këtë arsye nuk mund të flasë drejtpërdrejt, u shpreh megjithatë se ekziston një shtysë e re pozitive nga BE-ja për t’u angazhuar më thellë në Ballkanin Perëndimor, si rrjedhojë e ripërkufizimeve gjeopolitike globale.

“Mendoj se do të arrijmë më shpejt në normalizim, jo vetëm për shkak të nesh, por për shkak të nevojës ndërkombëtare që Ballkani të stabilizohet si pjesë e identitetit të ri evropian të sigurisë”, ka thënë ai.

Surroi: Ballkani duhet të bëhet pjesë e identitetit të ri evropian të sigurisë

2 d. më parë / 13 pri 2025 21:03
Veton Surroi

Në episodin më të fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi, së bashku me kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, diskutuan të ardhmen e Ballkanit në kontekstin e një rendi të ri gjeopolitik dhe të pasigurive në arkitekturën globale të sigurisë.

Sipas Surroit, ndryshimet dramatike që po ndodhin në arenën ndërkombëtare, përfshirë rikthimin e Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe qasjen agresive të Vladimir Putinit, po e ridizajnojnë identitetin e Evropës – veçanërisht atë të sigurisë. Ai theksoi se kjo është një mundësi që Ballkani Perëndimor të integrohet si pjesë e një hapësire të sigurt evropiane.

“Ne duhet të punojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një zonë unike e sigurisë. Që njerëzit të mos kenë më frikë nga njëri-tjetri, që kombet të fillojnë të komunikojnë dhe të ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha. Ky është momenti kritik për të ideojmë të ardhmen”, theksoi Surroi.

Ai nënvizoi se ideja e një zone të sigurisë në Ballkan nuk duhet të vijë vetëm nga jashtë, por të lindë edhe nga brenda rajonit, nga qendra të ndryshme dhe njerëz që janë të aftë dhe të gatshëm të mendojnë në këtë drejtim.

Biserko, nga ana e saj, theksoi se për një ndryshim të qëndrueshëm do të duhet një brez i tërë, ndërsa përgjegjësinë për Ballkanin e mban kryesisht Bashkimi Evropian, i cili duhet të jetë shumë më aktiv në drejtim të mbështetjes politike dhe sigurimit të stabilitetit.

“BE-ja mori përgjegjësinë për Ballkanin dhe duhet ta mbajë atë. Kjo kërkon një qasje shumë më të përfshirë dhe një vizion më të guximshëm”, ka thënë ajo.

Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se struktura e NATO-s, sidomos komponenti i saj evropian, duhet të ruhet, pasi ka qenë themeli mbi të cilin u ndërtua edhe Bashkimi Evropian.

“Evropa është mësuar të jetojë në paqe – ndryshe nga ne. Për ata, paqja është e mirëqenë. Për ne, është një projekt për të cilin duhet të luftojmë”, përfundoi Surroi.

Biserko: Me kthimin e Trumpit mund të rishfaqet opsioni i ndarjes së Kosovës

2 d. më parë / 13 pri 2025 20:49
Sonja Biserko

Në një bisedë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, paralajmëroi se rikthimi i presidentit amerikan Donald Trump në pushtet mund ta rihapë debatin mbi ndarjen e Kosovës, një çështje që kishte fituar terren gjatë mandatit të tij të parë. Por të dy janë shprehur skeptik se kjo mund të ndodhë, duke pasur parasysh zhvillimet globale.

“Me kthimin e administratës Trump, mund të rishfaqet opsioni i ndarjes. Edhe pse nuk ka ende sinjale të qarta, Lista Serbe po gëzon mbështetje të shtuar, dhe në Beograd e Sarajevë po emërohen ambasadorë me origjinë serbe nga SHBA-ja. Kjo përforcon ndjesinë se Serbia po merr përparësi në raport me Kosovën”, ka deklaruar Biserko.

Sipas saj, edhe pse Vuçiqi de facto e tërhoqi Serbinë nga strukturat e Kosovës, duke mos marrë pjesë në zgjedhje e duke braktisur institucionet, situata gjeopolitike e re po krijon rreziqe për rihapjen e çështjeve territoriale. Ajo theksoi se një qasje e tillë do të ishte shumë e rrezikshme për stabilitetin rajonal.

Surroi nga ana e tij theksoi se ndarja nuk ishte ide që erdhi fillimisht nga SHBA-ja, por nga vetë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, me mbështetje edhe nga Tirana.

“Administrata Trump nuk e shtyu ndarjen, por e toleroi dhe la hapësirë për të”, ka thënë ai.

Diskutimi u zgjerua edhe në lidhje me ndikimin e luftës në Ukrainë. Sipas Biserkos, pasojat e luftës së papërfunduar në Ukrainë mund të reflektojnë edhe në Ballkan, ku konfliktet e ngrira – si në Bosnje e Kosovë – mbeten të hapura dhe potencialisht të rrezikshme.

Biserko theksoi nevojën për një angazhim shumë më aktiv të Bashkimit Evropian.

“BE-ja duhet të jetë më ofensive në Ballkanin Perëndimor, me një qasje që nuk bazohet më vetëm në raporte nga distanca, por me mbikëqyrje reale dhe shtytje konkrete drejt integrimit. Pa këtë, progresi në rajon mbetet i pamundur”, u shpreh ajo.

Biserko: Mandatit të Vuçiqit si autoritet absolut në Serbi po i vjen fundi

2 d. më parë / 13 pri 2025 20:25
Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, deklaroi se mandati i Aleksandar Vuçiqit si autoritet i pakontestueshëm në Serbi është drejt përfundimit. Ajo theksoi se frika që dikur sundonte shoqërinë serbe tani është zhvendosur te vetë pushteti.

“Vuçiq ka humbur aftësinë për të mobilizuar qytetarët. Përpjekjet e tij për të krijuar ndjenja solidariteti rreth çështjes së Dodikut dhe pretendimeve për separatizëm në Vojvodinë nuk kanë funksionuar. Retorika e tij nuk po mbështetet më nga shoqëria”, ka thënë Biserko.

Ajo shtoi se opozita nuk ka arritur të dalë jashtë kornizës së vendosur nga Vuçiqi, duke mbetur e fokusuar në temat që ai kontrollon – si Kosova dhe Bosnja. Megjithatë, ndryshimet po vijnë nga terreni.

Sipas Biserkos, rebelimi që po ndodh aktualisht në Serbi është i thellë dhe i lidhur me çlirimin nga frika. Studentët dhe qytetarët po organizojnë takime në qytete të vogla, duke diskutuar çështje lokale që në thelb janë politike. Kjo, sipas saj, është një shenjë e qartë e ndërgjegjësimit dhe ndryshimit në rrënjë.

“Nuk kemi ende një lider politik që mund ta kanalizojë këtë energji. Por ajo që është interesante është se kjo lëvizje është në përputhje me vlerat evropiane, sidomos kur flitet për përgjegjësinë institucionale dhe luftën kundër korrupsionit”. theksoi ajo.

Biserko përmendi edhe figurën e Laura Kovesi, kryeprokurores së BE-së për çështjet e korrupsionit, si simbol të shpresës për ndëshkimin e korrupsionit në Serbi.

“Emri i saj shihet madje edhe në pankarta, sepse qytetarët shpresojnë që edhe në Serbi të fillojnë arrestimet për aferat e shumta korruptive”, shtoi ajo, duke përmendur çështjen e stacionit të trenit në Novi Sad, që është nën hetim për keqpërdorim fondesh evropiane.

Biserko dhe Surroi ranë dakord se edhe pse ende nuk ka një alternativë të qartë politike, delegjitimimi i Vuçiqit është në rritje dhe situata në Serbi mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në ditët apo javët në vijim.

Biserko: Aleanca SHBA-Rusi mund të ketë pasoja katastrofike për Evropën

2 d. më parë / 13 pri 2025 20:14
Sonja Biserko

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, në një diskutim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, paralajmëroi se një aleancë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të kishte pasoja të rënda për Evropën dhe veçanërisht për Ballkanin.

“Evropa është në një pikë kthese. Ka disa fronte të hapura – nga njëra anë SHBA, nga tjetra Rusia me luftën në Ukrainë – dhe kjo marrëdhënie e re mes Amerikës dhe Rusisë mund të sjellë pasoja katastrofike për Evropën, që nga siguria deri te stabiliteti demokratik”, ka thënë Biserko.

Ajo theksoi se Ballkani është reduktuar në një “çështje ruajtjeje të paqes” dhe jo një projekt demokratizimi, teksa fuqitë e mëdha e kanë lënë rajonin në margjinat e interesit politik ndërkombëtar.

Sipas saj, situata në Serbi është veçanërisht alarmante.

"Ka një rebelim të ri, të thellë dhe autentik, që nuk do të shuhet lehtë. Studentët dhe qytetarët po ngrihen përtej frikës, me një ndjenjë lirie që nuk është parë më parë", u shpreh Biserko.

Ajo përmendi mbështetjen e vakët të Perëndimit për këto lëvizje dhe vlerësoi se mungesa e reagimit mund të çojë në destabilizim më të madh.

Nga ana tjetër, Veton Surroi e quajti këtë situatë “fenomen historik”, duke theksuar se Serbia ka qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ndoqi rrugën drejt demokracisë në fund të shekullit të 20-të.

“Në vitet '89-'90 Serbia shmangu demokracinë, dhe tani, në një kohë recesioni demokratik, shohim një lëvizje që mund të sjellë ndryshim të thellë”, ka thënë ai.