Në episodin e shtatë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi dhe historiani austriak Oliver Schmitt diskutojnë për ilirët, shqiptarët, Skënderbeun, zhvillimet politike në botë e çështje të tjera.
Surroi: Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri vazhdojnë të jenë një “rrugë njëkahëshe”
Publicisti Veton Surroi ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të jenë “rrugë njëkahëshe”, gjatë diskutimit në podcastin PIKË me historianin austriak Oliver Schmitt.
Schmitt e hapi diskutimin duke pyetur se si Surroi e sheh të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-kosovare përtej çështjeve identitare, duke përfshirë dimensionet shoqërore, ekonomike e kulturore.
Surroi theksoi se ekziston një “rrugë njëkahëshe” në raportet mes dy vendeve, ku qytetarët e Kosovës ndihen si në shtëpi në qytete si Durrësi apo Vlora, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë ende nuk kanë të njëjtën lidhje me Kosovën. Ai shtoi se kosovarët kanë pasur gjithnjë një njohje më të thellë të letërsisë dhe kulturës nga Shqipëria, ndryshe nga ana tjetër e kufirit.
Sipas tij, sfida e ardhshme nuk është më ekzistenca fizike si shtet apo komb – një betejë tashmë e fituar – por mungesa e shpresës për të ardhmen, që po shtyn gjeneratat e reja të kërkojnë perspektivën jashtë vendit.
“Shpopullzimi i Kosovës dhe Shqipërisë është aq dramatik, sa në vitin 2031 pritet që popullsia të bjerë në nivele të viteve ’70-’80”, paralajmëroi Surroi.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e bashkëpunimit ekonomik, duke përmendur shembullin e mundshëm të investimeve energjetike në lumin Devoll si model të dështuar të ndërlidhjes mes dy vendeve.
Në fund, Surroi theksoi se kohabitimi mes dy shteteve shqiptare është një mundësi e madhe për pasurimin e hapësirës shqiptare, por kërkon një vizion të përbashkët për të ardhmen dhe bashkëpunim të qëndrueshëm në fusha konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Schmitt: Në një botë jostabile, duhet të jemi modestë në analizat për Amerikën dhe politikën globale
Historiani austriak Oliver Schmitt analizoi zhvillimet globale dhe ndikimin e tyre në Ballkan, duke theksuar se sot jetojmë në një rend ndërkombëtar pa një fuqi dominuese të vetme – një realitet i ndryshëm nga periudhat e mëparshme të stabilitetit perandorak, siç ishte Pax Americana, në një diskutim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË.
Surroi vuri në dukje se Ballkani ende po përballet me probleme të trashëguara nga shekulli XIX, ndërkohë që po hyn në çerekun e dytë të shekullit XXI, në një kohë kur pushtetet botërore po ridimensionohen dhe ndikimi amerikan në botë po zbehet. Ai theksoi se paqja e ndërtuar nën dominimin amerikan është në tërheqje, duke shtuar se rajoni duhet të reflektojë mbi mënyrën se si do të zhvillohet më tej në këtë realitet të ri.
Schmitt u përgjigj duke theksuar rëndësinë e një analize të kujdesshme dhe të matur për situatën aktuale, veçanërisht për politikën e Shteteve të Bashkuara. Ai përmendi një artikull nga Neue Zürcher Zeitung, ku theksohej se shumica e analizave aktuale synojnë të pozicionohen moralshëm ose të mbështesin qëllime të caktuara politike, ndërsa situata reale është aq e paqëndrueshme, saqë nuk mund të parashikohet me siguri se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të administratës amerikane.
"Duhet të pyesim veten si mund të zhvillojmë një politikë më të pavarur nga SHBA-të, por duke ruajtur bashkëpunimin me to. Nuk mund të japim analiza të nxituara në një realitet kaq të paqëndrueshëm", ka deklaruar Schmitt.
Ai shtoi se frika nga Rusia është reale dhe ka ndikuar në rritjen e tensioneve në Evropë, veçanërisht në Gjermani, ku frika dhe ankthi kanë qenë gjithmonë jo vetëm shoqërore, por edhe politike. Si shembull, përmendi reagimin e fortë të kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz, që e përdori frikën ndaj politikës së Trumpit për të mbështetur ndryshime të rëndësishme në politikën e brendshme gjermane.
Në përfundim, Schmitt theksoi se në një botë kaq të ndërlikuar dhe të paparashikueshme, është e domosdoshme të shmangen teoritë e mëdha dhe interpretimet e shpejta – dhe se modestia në analizë është qasja më e mençur në këtë fazë të historisë.
Schmitt: Shqipëria dhe Kosova po formojnë identitete të veçanta, dallimi kryesor është kultura politike
Në një diskutim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, historiani austriak Oliver Schmitt ka thënë se ndarja historike dhe zhvillimet politike të shekullit të 20-të kanë ndikuar ndjeshëm në formimin e identiteteve të ndryshme ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Ai theksoi se ekzistenca e dy shteteve shqiptare në Ballkan tashmë është një realitet që ndikon çdo ditë në ndërtimin e përkatësive të reja shoqërore.
Schmitt u shpreh se ky diferencim nuk është thjesht një çështje emërtimi si “shqipërorë” apo “kosovarë”, por një rezultat i zhvillimeve shumë të ndryshme që pasuan ndarjen e territoreve shqiptare pas vitit 1918. Ai veçoi ndikimin e regjimit enverist në Shqipëri, që solli izolim të plotë, shtetëzim ekstrem të jetës së përditshme dhe shkatërrim të strukturave shoqërore, përfshirë besimin midis individëve për shkak të kontrollit të fortë të Sigurimit të Shtetit.
“Në Shqipërinë enveriste u zhduk prona private, ndalohej lëvizja e lirë dhe feja u fshi nga jeta publike. Në ish-Jugosllavi, shqiptarët lëviznin, kishin qasje në teknologji, mallra dhe kontakte me botën. Këto dallime kanë ndikuar fuqishëm në vetëdijen dhe kulturën shoqërore të shqiptarëve në të dy anët”, k thënë ai.
Sipas tij, pikërisht për shkak të këtyre dallimeve, sot ekziston një diferencë thelbësore në kulturën politike mes Shqipërisë dhe Kosovës – një aspekt që, sipas historianit, përbën ndryshimin më të madh mes dy shteteve shqiptare.
Surroi ngriti çështjen nëse ky proces do të çojë drejt formimit të identiteteve të reja shqiptare në shekullin 21, përfshirë edhe diasporën, si “bashkësi shqiptare” më të larmishme e më të shpërndara, jo vetëm në Ballkan, por në mbarë botën.
Schmitt: Reagimi ndaj historisë tregon nivelin e zhvillimit demokratik të një shoqërie
Në një diskutim të hapur mes publicistit Veton Surroi dhe profesorit të historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, Oliver Schmitt, në podcastin PIKË u trajtua çështja e miteve historike shqiptare dhe nevoja për rishikimin kritik të tyre.
Surroi ngriti pyetjen nëse shoqëria shqiptare ka kapacitetin për të kontestuar dhe reinterpretuar mitet e ndërtuara në shekullin e 20-të, siç janë figura e Skënderbeut, kontinuiteti ilir-shqiptar, apo ideja e tejkalimit të fesë në ndërtimin kombëtar. Ai vuri në dukje se çdo përpjekje për rishikim të këtyre miteve ka shkaktuar emocione të mëdha në opinionin publik.
Në përgjigje, Schmitt theksoi se mënyra se si shoqëria reagon ndaj rezultateve shkencore reflekton stadin e zhvillimit të saj demokratik. Sipas tij, krahasuar me fillimin e këtij shekulli, shoqëria në Kosovë dhe Shqipëri është më stabile dhe ka më pak reagime emocionale ndaj çështjeve historike, ndonëse ato ekzistojnë ende, sidomos në kontekste ndëretnike si në Maqedoni.
Schmitt theksoi se, ndryshe nga e kaluara kur frika nga manipulimet e huaja ishte e madhe, sot pavarësia dhe identiteti kombëtar i Kosovës janë më të konsoliduara. Ai shtoi se interesimi për historinë është në rënie, gjë që tregon një shoqëri më të qetë dhe më të sigurt në vetvete.
Duke marrë si shembull figurën e Skënderbeut, Surroi theksoi nevojën për të kaluar nga interpretimi romantik, ku Skënderbeu shihet si unifikues i shqiptarëve dhe "atlet i Krishtit", drejt një qasjeje më realiste. Schmitt sqaroi se, ndonëse Skënderbeu kishte synime për të krijuar një Mbretëri të Arbërisë me mbështetjen e Papës, realiteti politik i kohës ishte shumë më kompleks, me krerë të fuqishëm rajonalë që shpesh kundërshtonin dominimin e tij, siç ishte rasti i Lekë Dukagjinit.
Megjithatë, Schmitt theksoi se ideja e krijimit të një shteti të bashkuar ekzistonte dhe se Skënderbeu përfaqësonte këtë aspiratë politike, ndonëse nuk u realizua plotësisht në praktikë.
Schmitt: Shqiptarët mund të krahasohen vetëm me baskët e Spanjës
Historiani austriak Oliver Schmitt ka thënë se shqiptarët mund të krahasohen vetëm me baskët e Spanjës për ruajtjen e identitetit përmes gjuhës.
Në një diskutim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, profesori i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës theksoi se shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë që e kanë ruajtur identitetin përmes gjuhës,
“Edhe në rrethanat perandorake – në Romë, në Bizant dhe sidomos gjatë periudhës osmane – shqiptarët, apo protoshqiptarët, kanë ruajtur vazhdimësinë përmes gjuhë”, ka thënë Schmitt.
Ai nënvizoi se mungesa e burimeve të shkruara në lashtësi nuk e përjashton faktin që gjuha shqipe ka mbajtur rol kyç në identitetin etnik dhe kulturor të shqiptarëve ndër shekuj.
Nga ana tjetër, Surroi e shtroi pyetjen nëse kjo vazhdimësi kulturore është shndërruar më vonë në një narrativë politike, ku identiteti etnik përdoret për të mbështetur pretendime territoriale. Ai përmendi idenë e “tkurrjes etnike” si një element që shfaqet shpesh në diskursin kombëtar shqiptar, duke theksuar se në shumë raste, analizat historike ende nuk flasin për formimin e një kombi në kuptimin modern të fjalës.
Schmitt shtoi se edhe vetë ndryshimi i emrit “shqiptar”, që vjen nga kuptimi “ai që flet qartë, i kuptueshëm”, është dëshmi e rëndësisë që ka pasur gjuha në ruajtjen e vetëdijes identitare. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e studimit të gjuhës jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si burim historik për të kuptuar mënyrën se si një popull e ka perceptuar vetveten në kontekste të ndryshme politike dhe kulturore.