Në episodin e tetë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me ekspertin e telekomunikacionit, Ismet Hamiti, për rrugëtimin e Postës së Kosovës, skemat korruptive në të e çështje të tjera.

Surroi: Interesi është çështja kyçe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë

6 o. më parë / 27 pri 2025 21:13
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi dhe eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti në podcastin PIKË analizuan edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve.

Hamiti e përshkroi situatën si dy realitete të ndryshme, të cilat kanë filluar të komunikojnë gjithnjë e më shpesh dhe më larmishëm, duke u përpjekur të tejkalojnë dallimet historike dhe gjeografike.

Për Surroin, fjala kyçe për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë është interesi. Ai theksoi se dy shtetet kanë interes të bashkëpunojnë shumë më intensivisht dhe se ky bashkëpunim është më i lehtë të realizohet për shkak të afërsisë kulturore dhe njëhsisë kulturore, pavarësisht diferencave të ekzistuara gjatë periudhës së ndarjes.

Ai solli shembuj nga historia, si ndarja mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, për të treguar se edhe me dallime të thella, interesi i përbashkët mund të jetë një forcë unifikuese.

Surroi dhe Hamiti u dakorduan se është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria të identifikojnë dhe shfrytëzojnë interesat e përbashkëta për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe për të ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve të tyre.

Surroi: Pas pavarësimit, Kosova e ka harruar shkollimin

6 o. më parë / 27 pri 2025 21:00
Veton Surroi

Në një diskutim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti trajtuan sfidat e shtetndërtimit dhe rolit të intelektualëve në zhvillimin e Kosovës.

Hamiti theksoi se, dikur, intelektualët gëzonin një besim universalisht të pranuar, duke mundësuar që ata të merrnin pozita udhëheqëse dhe të ndikojnë në proceset e rëndësishme sociale dhe politike. Ai e krahasoi këtë me edukimin e viteve të paraluftës dhe mundësinë e kthimit të besimit tek intelektualët sot.

Nga ana e tij, Surroi theksoi se shtetndërtimi i Kosovës është ngushtë i lidhur me intelektualët dhe se ndërtimi i institucioneve të rëndësishme si Postë-Telekomi i Kosovës ka kërkuar një gjeneratë intelektualësh të edukuar, të cilët i dhanë një formë rezistencës paqësore gjatë viteve '90.

Ai solli shembullin e Gazmend Zajmit, një intelektual të njohur, dhe sfidat që një figurë e tillë mund të hasë në ditët e sotme, ku kontestimi i mendimeve intelektuale është bërë më i lehtë përmes rrjeteve sociale, por gjithashtu më i pasaktë dhe më i shpërndarë.

Surroi theksoi se, për fat të keq, pas pavarësimit, Kosova ka injoruar rëndësinë e edukatës dhe shkollimit, duke e vështirësuar kështu avancimin dhe zhvillimin e shtetit.

“Dhe Kosova, për fat të keq, është njëri prej vendeve, i cili ndonëse është ndërtuar si shtet në saje të shkollimit, në momentin e pavarësimit të vet e ka harruar shkollimin”, ka thënë Surroi.

Hamiti: Marrëveshja e PTK-së me “Dardafonin” ishte 100% skemë korruptive

7 o. më parë / 27 pri 2025 20:46
Ismet Hamiti

Eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ka thënë se kontrata e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) me operatorin virtual “Dardafoni” në vitin 2007 ishte skemë tërësisht korruptive.

Në një diskutim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Hamiti ka shpjeguar se marrëveshja kishte si qëllim përdorimin e aseteve të PTK-së nga “Dardafoni”, ndërsa PTK-ja mbante një përqindje të vogël të fitimeve, vetëm 22%.

Sipas tij, ky ishte veprim pa asnjë plan apo strategji, dhe një rast i manipulimit të pasurive të Kosovës për përfitime personale dhe politike.

“Ka qenë 100% skemë korruptive. Krejt më duhet të përmend të gjitha krimet që janë bërë rreth PTK-së”, ka thënë Hamiti, duke përmendur gjithashtu kontratën e imponuar me “Monaco Telecom”, e cila, sipas tij, ishte gjithashtu një marrëveshje e panevojshme dhe kriminale.

“Kombet e Bashkuara mund të kërkonin një kod për PTK-në, por përdorimi i Monaco Telecom ishte vetëm një alibi”, shtoi ai.

Në diskutimin e tij, Hamiti përmendi edhe largimin e Agron Didës nga posti i drejtorit të PTK-së gjatë negociatave për këtë marrëveshje. Ai theksoi se Dida kishte dhënë dorëheqje pasi nuk pranoi të bashkëpunonte në një kontratë që e konsideronte të dëmshme për PTK-në dhe qytetarët e Kosovës.

Publicisti Surroi e cilësoi marrëveshjen me “Dardafonin” si një prej formave më të spikatura të shfrytëzimit të pasurisë publike, duke theksuar se kjo përbënte një "futje të dorës në xhep".

Hamiti: Vendimin për krijimin e PTT-së së Prishtinës e mori Fadil Hoxha

7 o. më parë / 27 pri 2025 20:15
Ismet Hamiti

Në një bashkëbisedim në podcastin "PIKË" me publicistin Veton Surroi, eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ka ndarë detaje për krijimin e ndërmarrjes së komunikacionit Posta, Telegrafia dhe Telefonia (PTT) e Prishtinës më 1960.

Sipas Hamitit, vendimi politik për krijimin e PTT-së së Prishtinës është marrë nga përfaqësuesi i shqiptarëve në Jugosllavi, Fadil Hoxha, ndërsa licenca për funksionim është dhënë nga Koça Popoviq.

“Vendimin për PTT-në e Kosovës e ka marrë Fadil Hoxha, licencën për operim e ka dhënë Koça Popoviq. Ishte një vendim politik që thoshte se Posta e Kosovës duhet të jetë e Kosovës”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se ndërmarrja mbulonte tërë territorin e Kosovës dhe kishte selinë në Prishtinë.

Surroi theksoi se ky ishte një hap përpara autonomisë politike të Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e themelimit të PTT-së në një kohë të vështirë, gjatë regjimit të ashpër të Rankoviqit.

Hamiti gjithashtu kujtoi se përmes bursës së marrë nga PTT-ja e Kosovës kishte nisur studimet e tij jashtë vendit, duke u bërë pjesë e brezit të të rinjve që, pas kthimit në Kosovë, ndihmuan në ndërtimin e institucioneve vendore.

“Ka qenë kohë e vështirë. As nuk kisha parë telefon, por mora vendimin me studiu dhe më vonë ndihmova në ndërtimin e Postës dhe Telekomit”, përfundoi Hamiti.