Arbëri

Pezullohet vendimi për këmbimin e pronave të ish-klientëve të Ramës

I janë mbyllur rrugët Komunës së Prishtinës për t’i këmbyer pronat komunale me ato në Badoc, që u përkasin ish-klientëve të kryetarit Rama. Gjykata Themelore ka vendosur ta pezullojë ekzekutimin e vendimit derisa të merret verdikti final. E krahas Vetëvendosjes, edhe PDK-ja pret që këtë të enjte në Kuvendin Komunal të votohet për anulimin e vendimit mbi këmbimin e pronave

Komuna e Prishtinës është obliguar të martën nga Gjykata Themelore të mos marrë asnjë hap për jetësimin e këmbimit të pronave komunale te Prishtina e Re me ato private në Badoc, që u përkasin ish-klientëve të kryetarit Përparim Rama.

Gjykata vendos kësisoj, duke aprovuar një kërkesë të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të cilën e bëri pas raportimit të KOHËS për pronat.

“Funksionimi i rregullt i institucioneve shtetërore përbën interes të përgjithshëm, rrjedhimisht Gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditësit është interes publik e që shtyrja nuk do t’i sillte dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar. Kjo shmang pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i së paditurës, në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

E, IKD-ja e mirëpriti vendimin.

“Gjykata gjeti se me propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, IKD-ja ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sillte dëm vështirë të riparueshëm”, thuhet në njoftimin e IKD-së. “Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik”.

Në dhjetorin e vjetëm Kuvendi Komunal i Prishtinë aprovoi propozimin e kryetarit Përparim Rama që toka e ish-klientit të tij, Rrahman Haradini, që gjendet në Badoc ku nuk mund të ndërtohet, të këmbehet me tokën komunale në zonën Prishtina e Re, ku lejohen ndërtimet e objekteve të larta.

Për këtë këmbim, Rama nuk e ka pasur mbështetjen e partnerit kryesor qeverisës. Javën e shkuar është shpërfaqur kriza në koalicion, dhe sipas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nëpërmjet shkarkimit të drejtorit Ilirik Musliu e edhe të nënkryetares Donjeta Sahatçiu, Rama po revanshohet për mospërkrahjen e vendimit për pronat.

Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, ka paralajmëruar se do të anulohet vendimi, të cilin e ka quajtur të jashtëligjshëm.

Ai ka shkruar në Facebook, të martën, se interesi publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë, dhe ka theksuar se këmbimi milionësh në dëm të qytetarëve dhe Komunës do të ndalet të enjten.

“Pasnesër përfundimisht do të bëjmë anulimin e këmbimeve të jashtëligjshme në Badovc të Kryetarit Përparim Rama. Interesi publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë mbi interesin e pronarëve të tokave dhe lajres së borxheve biznesore”, ka shkruar Retkoceri në Facebook. “E përshëndesim edhe vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e vendimit të mëparshëm për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badovc. Këmbimi milionësh në dëm të qytetarëve dhe komunës do të ndalet përfundimisht pasnesër”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, që ndodhet në opozitë në kryeqytet, propozoi javën e shkuar anulimin e vendimit, por në mungesë të kuorumit seanca e Kuvendit Komunal nuk u mbajt.

Të gjitha zhvillimet rrodhën, pasi muajin e shkuar KOHA ka raportuar se para tre vjetësh kryetari i Komunës, Përparim Rama, pati klientë pronarët e mbi 8 hektarëve tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të dhjetorit, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lëshuar vendimin për ligjshmërinë e këtij këmbimi, ndërsa pas raportimit të KOHËS e ka tërhequr.