Arbëri

Peticion e padi ndaj Komunës së Prishtinës për vendimin për mbylljen e rrugëve në kryeqytet

Vendimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në disa pjesë të rrugëve si dhe zgjatja e orarit për pagesë nga Prishtina Parkingu, janë kundërshtuar nga banorët dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, e është ngritur padi nga Grupi KOHA. Banorët kanë bërë peticion publik, pasi theksojnë se vendimi është marrë pa u ndjekur procedurat ligjore, e në KMDLNJ-së theksuan se vendimet për mbylljen e rrugëve do t’ua vështirësojnë qytetarëve lirinë e lëvizjes.

Banorët e rrugës “Rexhep Luci” në kryeqytet janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që kjo rrugë të shndërrohet në shesh.

Banorët kanë bërë peticion publik, pasi theksojnë se vendimi është marrë pa u ndjekur procedurat ligjore.

“Kërkojmë nga autoritetet komunale që ushtrojnë ndikimin e tyre në kontrollin strikt të veprimtarisë hoteliere në lagjen tonë, me theks të veçantë zhurmën që shkaktohet nga këto biznese si dhe të respektohet orari i punës. Kërkojmë që para çdo vendimi në lidhje me rrugën ‘Rexhep Luci’ të zbatohet neni 69 i vetëqeverisjes lokale, në lidhje me dëgjimin publik, interesat e banorëve dhe vetëqeverisjen”, thuhet në ankesën e tyre.

Javë më parë, komuna ka marrë vendim për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci”, “Qamil Hoxha” si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.

Për këtë vendim dhe atë që mori në vikend për zgjatjen e kohës për pagesë nga Prishtina Parkingu në Zonën Qendër nga ora 19 në 23, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

Sipas KMDLNJ-së, këto vendime do t’ua vështirësojnë qytetarëve lirinë e lëvizjes.

“Pse kryetari i Prishtinës me të tjerët vendimmarrës nuk janë aq këmbëngulës në menaxhimin e mbeturinave që e kanë ngulfatur qytetin duke e shndërruar në një kontejner të madh e janë aq këmbëngulës në krijimin apo zaptimin e hapësirave publike për parkingje në kohën kur Parkingu i Madh në kompleksin e Universitetit të Prishtinës shfrytëzohet afërsisht vetëm 20 - 25 % e që nënkupton që gjatë ditës (kur ka më së shumti për parkingje) i keni gjithmonë 490 deri në 540 vende të lira”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së

Pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, kryetari Rama, mori vendim që nisur nga 1 shtatori, të mbyllë edhe qasjen e vetme për qarkullim që e ka stafi i dy mediumeve kombëtare, ai i RadioKosovës dhe Grupit KOHA, si dhe Rektoratit të UP-së.

Për këtë drejtoresha menaxhuese e grupit Koha, Flaka Surroi, ka dërguar ankesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe ka ngritur padi ndaj komunës.

Ajo ka akuzuar pushtetin lokal në kryeqytet se po e sulmon rëndë fjalën e lirë, duke e injoruar ligjin.

“Zgjidhje për problemin që do që ta krijojë”, ka shkuar Surroi.

Ditë më parë, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se është i paligjshëm vendimi i kryetarit Rama për mbylljen e disa rrugëve në qendër të kryeqytetit, përfshirë rrugën e vetme për t’iu qasur me automjete dy mediave kombëtare.