Arbëri

PET SCAN në QKUK ende jashtë funksionit, shkak mungesa e materialit

Pacientët me kancer që kanë nevojë për të kryer PET SCAN ende nuk mund ta kryejnë në QKUK, edhe pse aparatura është përuruar para një muaji. E arsye e mosfunksionimit është mungesa e materialit radioaktiv e vonesat në trajnimin e stafit

Me pompozitet u promovua përurimi i aparaturës PET SCAN në QKUK, saktësisht para një muaji.

Pajisja, e siguruar nga fondacioni “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e bën skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene, aty ku metodat e tjera dështojnë.

Por kjo aparaturë ende nuk është funksionalizuar.

Fillimi i shërbimeve me këtë aparaturë ishte premtuat të bëhej gjatë muajit maj.

Ditën kur është përuruar PET SCAN në QKUK nga menaxhmenti u tha që  brenda muajit maj do të fillohej me dhënien e shërbimeve për pacientët me kancer. Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur për shkak që nuk ka material shpenzues. Në QKUK nuk kanë bërë të ditur se kur do të vijë ky material.

E, muajin e kaluar nga menaxhmenti thanë se në fundin e muajit maj materiali radioaktiv do të jetë në QKUK.

“Shumë shpejt, se procedura është nisur më herët. Tash pritet të përmbyllet procesi i konkurrimit të operatorëve ekonomik, vlerësimi i tenderit dhe i lidhjes së kontratës me operatorin që e fiton kontratën. Ne fillojmë punën brenda dhjetë ditë ose dy javë pasi të nënshkruhet kontrata. Pa material radioaktiv PET CT nuk mund ta realizojmë.....Unë mendoj që në fund të majit materiali do të jetë këtu, kishte theksuar Fakir Spahiu, drejtor në Mjekësinë Nukleare.

Në faqen e E-prokurimit, KOHA nuk ka arritur ta konfirmojë nëse kontrata është nënshkruar ose jo për këtë material e as QKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje se pse nuk kanë arritur të prokurojnë materialin para ardhjes së aparaturës. Ky institucion thotë së puna do të nisë në muajin qershor.

“Ju njoftojmë se sa i përket Pet-CT, janë duke u kryer trajnimet e nevojshme të stafit dhe njëkohësisht pritet që shumë shpejt të bëhet furnizimi me materialet e nevojshme për punë, meqë procedurat janë në fazën finale. Arsyeja kryesore ndërlidhet me trajnimin e stafit, i cili është në fazën përfundimtare, sipas planit të paraparë. Ky shërbim është i ri në QKUK, andaj duke mos pasur përvojën e nevojshme, ka qenë i domosdoshëm trajnimi i stafit. Shërbimi pritet të fillojë në muajin qershor të këtij viti!”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

PET/CT është mënyrë efektive për zbulimin e disa sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe çrregullimet e trurit.

Për kryerjen e procedurës merret një ilaç radioaktiv që tregon aktivitetin metabolik tipik e atipik të pacientit.

Pacientët që kanë pasur nevojë për diagnostikim të tillë, deri tash këtë shërbim është dashur ta kryejnë në një institucion privat, e që shërbimi ka kushtuar deri në mbi 1 mijë euro.