Arbëri

Pesë serbë ftohen për intervistim pas mbylljes së komunave paralele

Pllaka e departamentit të patentë shoferëve në ish-objektin e komunës paralele të Mitrovicës së Veriut

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka ftuar pesë serbë për intervistim lidhur me mbylljen e komunave paralele në veri të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se katër serbëve u është dërguar ftesa për intervistim, ndërsa njëri prej tyre nuk ka qenë në Kosovë.

Pesë serbët dyshohen për "falsifikim të dokumenteve".

Më 30 gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore. Të premten nga Policia e Kosovës u mbyllën zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe katër komunat paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Më herët, janë mbyllur edhe zyra të tjera të komunave ilegale në qytete anembanë Kosovës.

Dje dhe sot, punëtorët e komunave paralele kanë protestuar para objekteve që janë marrë nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës.