Dy rrugë do të jenë tërësisht të bllokuara, ndërkaq pesë të tjera do të jenë njëkahore për veturat gjatë dy ditëve të këtij vikendi në Prishtinë.
Vendimi është pjesë e një testi që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës për t’i kthyer rrugët kryesore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe.
Halil Halili, udhëheqës i Task Forcës për Trafikun në Prishtinë, ka thënë për KOHËN të shtunën se qëllimi i bllokimit të dy rrugëve është që të bëhet promovimi i ecjes së lirë dhe çiklizmit.
“Rrugët që do të jenë njëkahore është rruga Agim Ramadani, nga Menza e Studentëve, në drejtim të rrugës Ilir Konushevci, rruga UCK, rruga Migjeni dhe rruga Luan Haradinaj, në drejtim të Ukshin Hotit dhe rruga Robert Dol. Do të jetë edhe një pjesë e Bill Clintonit ku do të jetë rrugë njëkahore, dhe pjesa e dytë e rrugës Eqrem Qabej ndërkaq rruga Xhorxh Bush dhe Garibaldi do të jetë vetëm për këmbësorë, do të jetë e bllokuar për dy ditë”, ka thënë Halili.
I pyetur nëse testimi do të vazhdojë edhe fundjavave të tjera, Halili ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të mblidhet Task Forca bashkë me Policinë dhe akterët e tjerë të përfshirë për të parë se si ka funksionuar testi, dhe pastaj mund të vendoset edhe për teste të tjera.