Disa nga ish-delegatët që në kushte okupimi miratuan Kushtetutën më 7 Shtator të 1990-s, gjatë ditës vizituan ulëset e tyre në sallën e vogël në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik. Asnjë aktivitet shtetëror nuk u organizua në këtë përvjetor. E ish-delegatët kërkuan që kjo ditë të shënohet për çdo vit me aktivitete të ndryshme, duke bërë me dije se nga kjo datë ka nisur gur themeli i Kushtetutës së Kosovës në rrafshin juridik
Në 33-vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit të 1990-s, të enjten disa ish-delegatë nga Kaçaniku vizituan vendin ku atëkohë është mbajtur mbledhja për miratimin e Kushtetutës që Kosovën e definoi shtet të pavarur, ndonëse ndodhej nën okupimin e Serbisë.
Ish-delegatët e asaj mbledhjeje kanë shprehur shqetësimet e tyre se institucionet lokale dhe ato qendrore nuk po organizojnë aktivitete të mjaftueshme për këtë ditë të rëndësishme, duke e cilësuar se ishte nisja e gur themelit të shtetit të Kosovës.
Nënkryetari i ish-Kuvendit të Kosovës, njëherësh njëri ndër udhëheqësit e mbledhjes për Kushtetutën e Kaçanikut, Ilaz Ramajli, tha se kjo datë duhet të mbetet shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës
“Me Deklaratën Kushtetuese, me Kushtetutën e Kaçanikut dhe me Referendumin për Pavarësinë e Kosovës, unë besoj se janë vendosur gur themelet e shtetit të ri të Kosovës në rrafshin kushtetues dhe juridik dhe është bërë e qartë për faktorin ndërkombëtar, por edhe për Serbinë, se Kosova më nuk do të jetë asnjëherë nën zgjedhën e Serbisë apo nën ndonjë organizim tjetër shtetëror ku nuk do të dëshironte populli i saj”, ka thënë Ramajli.
Edhe disa nga ish-delegatët kërkuan nga institucionet lokale dhe ato qendrore të bëjnë më shumë për ta kujtuar këtë datë historike.
“Deshëm apo nuk deshëm, 2 Korriku dhe 7 Shtatori kanë qenë themelet bazë të shtetit të Kosovës. Pastaj kanë vazhduar procese të ndryshme për çlirimin e Kosovës, pasi që ka ardhur UÇK-ja dhe me ndihmën e saj dhe me SHBA-në e NATO-n, jemi sot ku jemi”, ka thënë ish-delegati Halim Demaj.
Ndërkaq ish-delegatja Ilirjana Jusufi ka theksuar se, për këtë datë institucionet duhet të bëjnë shumë.
“Nuk është datë që mund të tejkalohet, sepse duhet të jetë shtetërore dhe është shtetërore, pasi që jemi formues të Kushtetutës së Kosovës, andaj baza e krejt ndodhive që janë bërë fillon nga kjo kushtetutë”, ka thënë Jusufi.
Në Komunën e Kaçanikut kanë thënë se për rinovimin e sallës ku është mbajtur mbledhja për miratimin e Kushtetutës duhet të përkrahen nga niveli qendror, pasi që Komuna nuk ka mundësi financiare.
E, përfaqësues shtetërorë e kanë kujtuar këtë ditë por pa marrë pjesë në ndonjë organizim.
Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar se Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin e Kosovës dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik.
“Kushtetuta e Kaçanikut simbolizon përkushtimin tonë dhe guximin e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për t`i dhënë drejtimin përpjekjes për liri, demokraci e shtet të pavarur demokratik. Kjo Kushtetutë mishëron parimet e barazisë, lirisë dhe demokracisë dhe mbetet guri themeltar i plotësimit të idealit të brezave për Kosovën Republikë, duke ngërthyer në vete vlerat perëndimore, aspiratë e përhershme e qytetarëve të Kosovës”, citohet Osmani në një komunikatë për media të Presidencës.
E, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se dokumenti i aprovuar nën kushte okupimi ishte “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”.
“Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, ku ka përshkruar edhe mënyrën se si kishte ardhur deri te miratimi i Kushtetutës dhe ka përmendur disa nga protagonistët e kësaj ngjarjeje. “Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 ‘Kosova Republikë’ u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008”.
Kushtetuta e Kaçanikut përbënte hapin e dytë të akteve konstitutive kushtetuese dhe politike, pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, me të cilat u përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë akt është shprehur avancimi i pozitës kushtetuese-politike të Kosovës nga njësia autonome në njësi të pavarur, në kuadër të bashkësisë së Jugosllavisë.