Gjatë vitit të kaluar Prishtina ka filluar zgjerimin e sheshit kah pjesa e Katedrales.
Nën kritika e përkrahje të shumta rruga “Xhorxh Bush” tashmë ka marrë tjetër pamje me hapësira për kalimin e autobusëve e shesh për këmbësorë.
Por, ky nuk do të jetë sheshi i vetëm i ri.
Gjatë vitit 2023, Prishtina do të bëhet edhe me më shumë sheshe.
Një pjesë e rrugës “Rexhep Luci” dhe asaj “Qamil Hoxha” priten të shndërrohen në shëtitore.
Drejtori për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se njëra ndër projektet më të mëdha është shndërrimi i zonës Qendër në kalldrëm.
“Realisht kjo rruga “Rexhep Luci” nuk është që do të mbyllet në tërësi. Do të zgjerohet vetëm deri te pjesa e hyrjes së tunelit, në pjesën e sipërme do të jetë deri te fundi i Ministrisë së Kulturës, ajo rrugë prapë do të jetë e shfrytëzueshme, por do të jetë me kalldrëm, dhe te kafet e rakisë vetëm e kemi mbyllur më herët. Në komunikacion nuk kanë shumë ndikim dhe pjesa tjetër është pjesa e sheshit që është bllokuar dhe pritet të lirohet për pjesën e autobusëve, taksive por jo edhe të veturave”, tha Xhaferi.
E përveç këtyre shesheve, Komuna ka paralajmëruar se sheshi do të vazhdohet edhe kah pjesa e vjetër e qytetit.
Megjithëse këtë vit janë ndarë 500 mijë euro për këtë projekt, e njëjta nuk pritet të fillojë gjatë këtij viti.
“Duan një projekt detaj, projekt i cili duhet të përmbyllet në përpikëri. Gjatë këtij viti kemi ndarë mjetet që do ta përmbyllin projektin nga xhamia në drejtim të Sami Frashërit, do të marrim leje nga Trashëgimia Kulturore në mënyrë që të mos kemi probleme me hapjen e punimeve, sepse është zona Qendër, nuk guxojmë me e bllokuar komunikacionin dhe të gjitha këto na nevojitet t’i përmbyllim që të kemi një front të mirë që kur të fillojmë me punime të mos kemi bllokada”, tha Xhaferi.
Përveç tyre, Komuna e Prishtinës synon të ketë edhe projekte të tjera të mëdha gjatë këtij viti.
Në mars parashihet të fillojnë punimet për “Rrugën A”, e bashkë me të edhe vazhdimi i “Rrugës B” në pjesën e poshtme.
“Pjesë e vitit 2023 do të jetë ‘Rruga A’, vazhdimi i ‘Rrugës B’ në pjesën e poshtme, vazhdimi i ‘Rrugës B’ në pjesën e sipërme, do të jetë unaza e brendshme, përmbyllja deri te rrethrrotullimi i Lakërishtës. Për secilën lagje i kemi planifikuar 500 mijë euro orientimisht, prej projekteve të mëdha do të jetë përmbyllja e rrugës ‘Bashkim Fehmiu’, përmbyllja e rrugës ‘Emine Peza’, përmbyllja e rrugës prej Xhamisë deri te çezma e Matiçanit, që është jashtëzakonisht e dëmtuar”, tha Xhaferi.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa u përket pritshmërive për realizimin e projekteve nga qeverisja e kryetarit Përparim Rama.
Si projekte të mëdha, sipas Xhaferit, do të jetë edhe ndërtimi i shumë rrugicave nëpër fshatrat e Prishtinës.
700-metërshi i parë i unazës së brendshme të qytetit pritet të përmbyllet në qershor, për të vazhduar më pas edhe me pjesën tjetër deri në fund të vitit.
Ndryshe, për këtë vit nga buxheti i Prishtinës janë ndarë 1 milion euro për mirëmbajtjen e sipërfaqeve gjelbëruese, 2.5 milionë euro për zyrën e arkitektit, 3 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave, 1 milion euro për ndërtimin e thertores publike dhe 1 milion e 300 mijë euro për fillimin e ndërtimit të spitalit të qytetit.