Në Rogovë të Hasit është përuruar ura, e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë – Prizren. Ndërtimin e kësaj ure e mirëpritën hasianët. E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se finalizimi i projektit është lajm i mirë për gjithë banorët
Është përuruar të enjten ura që në Kosovë është e dyta për nga gjatësia. Ajo ka gjatësi prej 134 metrash e gjerësi prej 10 metrash dhe lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren.
Punimet për ndërtimin e urës, sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kanë përfunduar brenda një viti.
“Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet. Falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025, po e lëshojmë në përdorim këtë urë, e cila e ka gjerësinë 10 metra, prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në njëfarë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. Kjo urë kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, ka thënë Kurti, i cili mori pjesë në përurim.
E ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, lavdëroi punimet e bëra, por edhe kërkoi nga Komuna e Gjakovës të mbajë zotimin që rruga të zgjerohet.
“Mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës që do të jetë me dimensionet e saj dhe që besoj se komuna do ta bëjë pjesën e vet të punës ashtu siç ka premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra, pra 125 metra, e ndërtuar me trarë dhe kompania ka bërë një punë profesionale, kemi qenë në përcjellje të këtyre punime”, ka thënë ai.
Ndërtimin e urës që lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren e mirëpritën qytetarët.
“Është shumë e rëndësishme se i ka 60 mijë banorë që kalojnë mbi këtë urë. Kjo është dashur të bëhej edhe më herët. U vonua pak, por mirë pasi u krye”, ka thënë Gëzim Thaçi, një prej banorëve.
Edhe Baki Gashi ka thënë se është me rëndësi projekti.
“E rëndësishme është shumë për neve. Për fshatin tonë dhe gjithë trevën është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Vlera financiare e këtij projekti ka qenë rreth 989 mijë euro.