Arbëri

Përurohet Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë

Spitali i Mitrovicës

Foto: ZKM

Të martën është përuruar Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës, ku për funksionalizimin e tij u tha se janë shpenzuar rreth 1 milion euro, e gjysma e tyre donacion nga shoqata “Nëna Terezë” në Gjermani.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se prezentë ishin edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, Elvir Azizi.

“Reparti ka 11 dhoma, dhomë për mjekim intensiv dhe 25 shtretër për hospitalizim. Reparti i vjetër kishte vetëm një dhomë me shtatë shtretër...Objekti i ri, krahas infrastrukturës së re, do të ofrojë edhe shërbime të reja që përfshijnë shërbimin radiologjik dhe atë të spirometrisë, si dhe me aparaturën moderne do të mund të realizojë të gjitha analizat e nevojshme laboratorike për pacientët e këtij reparti”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Kurti është shprehur se ky repart do të ketë pajisje moderne mjekësore “që garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësi të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë”.

“Më herët ka pasur në këtë repart vetëm një dhomë me shtatë shtretër, e janë kryer diku rreth mbi një mijë hospitalizime brenda vitit dhe 37 mijë vizita ambulantore, ndërkaq tash do të jenë gjithsej 11 dhoma me 25 shtretër, njëra prej dhomave do të jetë edhe intensive”, ka deklaruar Kurti.