Nxënësit e shkollës së mesme “Ulpiana” në Gadime të Lipjanit sot kanë nisur mësimin në objektin e ri i cili është përuruar zyrtarisht nga ekzekutivi i Komunës.
Në një ceremoni solemne kryetari i komunës, Imri Ahmeti, ka uruar nxënësit për vitin e ri shkollor.
“Nxënësit të shkollës së mesme “Ulpiana” në Gadime, vitin e ri shkollor po e nisin si është më së miri, në objekt të ri, modern dhe me kushte të mira të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në rritjen e cilësisë në mësimnxënie”, ka thënë Ahmeti.
Përmes një komunikate, zyra për informim në këtë komunë ka bërë me dije se është prioritet i ekzekutivit rritja e cilësisë së mësimit në të gjitha shkollat e kësaj komune.
“Banorët e Gadimes janë shprehur të kënaqur dhe falënderues ndaj komunës për ndërtimin e këtij objekti shkollor duke thënë se me krijimin e kushteve do të ketë edhe cilësi më të mirë në mësimnxënie për gjeneratat që do vijnë në vijim”, thuhet në komunikatën e komunës.
Në anën tjetër Naser Kaqara, drejtor i shkollës së mesme “Ulpiana” në Gadime, ka thënë se kjo ngjarje është e veçantë dhe se sot po e gëzojnë këtë tempull diturie falë angazhimit dhe përkushtimit të institucioneve komunale.