Peja nga e enjtja është bërë me objekt të ri të Qendrës Rinore. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, ka thënë se rinia pejane me këtë objekt ka një vend ku do të mundë t`i zhvillojë aktivitetet e ndryshme rinore.
Më tej, ai ka premtuar se do të realizohet brenda vitit edhe ideja për një objekt për xhudon, shkruan sot Koha Ditore.
“U ballafaquam me një problem administrativ me Ministrinë e Ambientit dhe besoj se kemi ardhur deri te një zgjidhje", ka thënë Gashi.
Në këtë kontekst, kreu i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se zgjidhja për kompleksin e xhudos do të gjendet deri në fund të muajit.
"Ministrin e falënderuam për të gjitha investimet në Pejë dhe u dakorduam për mundësitë e zhvillimeve të ardhshme. Çka ka mbetur pa realizuar është ndërtimi i Qendrës nacionale të xhudos. Besoj se deri në fund të muajit do të gjendet zgjidhja", ka thënë kryetari Muhaxheri.
Ministri i Kulturës ka paralajmëruar ndërtimin edhe të tri qendrave të tjera rinore në qytete të ndryshme të Kosovës. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)