Arbëri

Përurohet obelisku i radios që transmetoi informacionet nga bunkeri

Në 25-vjetorin e përfundimit të transmetimit të programit të Radios “Kosova e Lirë”, u përurua obelisku i bunkerit prej kah për më shumë se dy muaj u transmetuan informacionet për luftën në Kosovë. Por, stafi i kësaj radioje e shënoi këtë jubile i përçarë e me manifestime të ndara

I ulur në tavolinën brenda bunkerit të njëjtë, por në rrethana krejt ndryshe, moderatori i “Kosovës së Lirë”, Nusret Pllana, i përsërit me mallëngjim vargjet “Ju flet Kosova e lirë, ju flet Kosova e lirë”, me të cilat e niste dhe e përfundonte programin e Radios “Kosova e Lirë”. Ai e kujton me emocion 21 qershorin e ‘99-s, kur i dha fund transmetimit në rrethana lufte të programeve të radios së UÇK-së.

 Asokohe, në një bunker të improvizuar, në njërën anë mbante armën automatike e në tjetrën mikrofonin, dhe përmes frekuencave të radios Pllana kumtoi një nga lajmet më të rëndësishme për Kosovën gjatë kohës së luftës.

“Nga ky bunker e kemi kumtuar lajmin më të mirë të mundshëm kur kam thënë: sot, më 21 qershor 1999, po e përfundojmë programin e Radios “Kosova e Lirë” me kapitullimin e Serbisë fashiste në Kosovë”, thotë ai.

Me disa antena të fshehura mes shkurresh, nga maja e Pallanikut në malet e Berishës, përhapeshin informacionet në krejt Kosovën mbi luftën e UÇK-së, por edhe mbi masakrat që ushtria serbe bënte mbi civilët.

“Ka pasur shumë ngjarje të vështira dhe përditë ka pasur lajme të rënda sepse në pamundësi që armiku ynë barbar serb, ushtria dhe policia fashiste serbe të përballen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata bënin çdo ditë kërdi mbi popullatën civile”, shton ai.

Bunkeri i radios u rinovua e u përurua me një obelisk, pikërisht në 25-vjetorin e përfundimit të misionit informativ. Stafit prej 8 anëtarësh të Radios, për 6 muaj sa zgjatën programet e saj, u bëri bukë për tri vaktet Sadbere Berisha, e cila ndonëse e shtyrë në moshë, mori pjesë në jubile.

“Ua kemi bërë bukën shumë kollaj me plot dëshirë, vetëm kam pasë qejf mos me hekë keq këta”, thotë ajo.

Por, stafi i Radios “Kosova e Lirë” e festoi i ndarë përvjetorin. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre ishte në majë të Pallanikut te bunkeri, bashkëpunëtorë të drejtorit të Radios, Ahmet Qeriqi, e shënuan këtë ditë dy kilometra më tej, në shtëpinë muze të fshatit Berishë, por pa praninë e tij për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Në manifestim, pjesëmarrësit hodhën akuza ndaj pesë anëtarëve të stafit, për të cilët thanë se pa paralajmërim vendosën që mjetet dhe pajisjet e shtëpisë muze të zhvendosen në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës. 

Arbanë Qeriqi-Gashi, kryeredaktore aktuale e Radios “Kosova e Lirë”  dhe vajza e Ahmet Qeriqit, e emocionuar e cilësoi të shëmtuar veprimin e një pjese të stafit. 

“Atyre që kërkuan nga Muzeu i Kosovës të marrin këtu teknikën dhe pajisjet e luftës dhe t’i vendosin në ambientet e veta, ju them ja ku janë, të gjitha pajisjet e muzeut dhe këtu do të jenë, sepse këtu është shkruar me gjak historia”, ka thënë ajo.

Kritikë të njëjtë bëri edhe ish-komandanti i UÇK-së i asaj zone, Sadik Halitjaha. Fajin për përçarjen e ekipit të RKL-së, Halitjaha ia la edhe Qeverisë aktuale. 

“Ata që mendojnë se mund të tjetërsohet historia është vonë për ta. Ata mund ta tjetërsojnë veten dhe të jenë në antihistori. Tash së fundmi po më duket kjo Qeveri e ka zgjatur dorën edhe të përçarjes. Kjo është keq për mesin tonë”, tha ai.  

Radio “Kosova e Lirë” e nisi transmetimin më 4 janar të 1999-s, me vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndërkaq nga 8 prilli e deri më 21 qershor  transmetimin e bëri prej bunkerit në Pallanik. Në të njëjtën kohë kur u themelua radioja, e nisi punën edhe agjencia e lajmeve Kosovapress.