Arbëri

Përurohet Klinika e rinovuar e Gjinekologjisë

Klinika e Gjinekologjise

Foto: Driton Paçarada

Është përuruar Klinika e rinovuar e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në përurim, kryeministri Albin Kurti ka thënë se investimet që janë bërë ngjajnë në ato të perëndimit.

“Para 10 vjetëve unë e kam pasur gruan time këtu e cila e pat lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyra këtu në spital në shërbimin e Klinikës Gjinekologjike nuk mund ta dallosh që je në Prishtinë nëse e krahasojmë para një dekade me vendin e njëjtë”, u shpreh Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në këto reparte janë instaluar edhe njësite tjera të cilat do të ndihmojnë në sistemimin informativ shëndetësor, ndërkaq ka shtuar se do t’i ndihmojnë edhe stafit shëndetësor.

“I lumtur që sot po fillojnë katër repartet më të rëndësishme të rinovuara në Klinikën e Gjinekologjisë. Vetëm të shtoj se në këto reparte janë instaluar edhe njësitë e reja të cilat do të ndihmojnë në sistemimin informativ shëndetësor, do të ketë digjitalizim të radhëve, do të këtë procese të digjitalizuara. Dhe gjithë kjo përveç kushteve të jashtëzakonshme që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë edhe punëtorët do ta kenë shumë më lehtë që të bëjnë punën e tyre dhe natyrisht sot edhe falënderohem nga ta, jo vetëm për shkak të kushteve por edhe për shkak të rrjedhjes së pacienteve dhe mënyrës më të dinjitetshme të trajtimit të grave në klinikë”, ka thënë Vitia në inaugurim.

Siç raporton “Ekonomia Online”, në rinovim janë investuar 5.5 milionë euro e prej tyre mbi 3 milionë janë investuar për fertizilim të asistuar dhe 2 milionë për mjekësinë fetale.

Fotot: Driton Paçarada