Përkundër kontesteve pronësore e kundërshtimeve për shumën e lartë të projektit, është përuruar fillimi i punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Vlera e projektit, e cila sipas tenderit parashihet të jetë 18 milionë e 400 mijë euro, është konsideruar si shumë e lartë nga opozita në kryeqytet. Pjesëtarë të opozitës kanë thënë se projekti ka probleme si moszgjidhja e kontesteve pronësore.
Por kjo është mohuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të hënën kur është mbajtur ceremonia e përurimit.
“Nuk asnjë problem për ta shtyrë përpara. Normal se kemi zëra të ndryshëm, mendoj pa asnjë arsye. Mirëpo, ne po vazhdojmë me punimet për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Unë e diskutova, kjo është e shqyrtuar, nuk shohim asnjë problem në këtë aspekt. Nuk ka asnjë problem”, ka thënë ai, kur është pyetur për problemet pronësore.
Opozita në kryeqytet e ka konsideruar me shumë probleme këtë projekt, siç është moszgjidhja e kontesteve pronësore.
Gëzim Sveçla, asamblist i VV-së, ka thënë se një pjesë e pronës është pjesë shoqërore, që i bie se nuk është pronë komunale, ndërsa ka edhe pronë të “Radio Prishtinës”.
“Si projekt ka disa probleme. Ka probleme pronësore. Me sa kemi ne informacion një pjesë e pronës është pjesë shoqërore, që i bie se nuk është pronë komunale, ndërsa ka edhe pronë të ‘Radio Prishtinës’, nëse nuk gabohem, ose institucioneve të tjera. Që do të thotë se po fillon një projekt pa u sqaruar pronësia, e që rrjedhimisht pastaj do të lindin pasoja juridike dhe kjo çështje do të shkojë nëpër gjykata”, ka deklaruar Sveçla një ditë më parë.
Kur është pyetur për problemet në trafik si dhe moszgjidhjen e tyre pas mbylljes së “Xhorxh Bushit”, Rama nuk ka folur për trafikun, por ka thënë se sot “qytetarët e shfrytëzojnë sheshin në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“E keni parë që një numër i madh i qytetarëve, i shihni edhe sot që ecin dhe e shfrytëzojnë sheshin në mënyrën më të mirë të mundshme. Qendrat nëpër pjesët e botës faktikisht u dedikohen hapësirave publike. Tashmë prej momentit kur ne e kemi parkingun nëntokësor këtu afër, po ashtu i kemi parkingjet e tjera përreth, të cilat janë jo më larg se 100 metra, 50 metra, 20 metra në këmbë. Pra, është një avancim social ose kulturor, ku nuk mundemi për fat të keq të parkojmë makinën në ballkon tonin, mirëpo një distancë 50 metra, 100 metra është super normale dhe këtë nuk do ta kemi problem. Kjo do të iniciojë tash procese edhe më të shëndetshme për të gjithë qytetarët, një hapësirë publike që është më e sigurt për fëmijët tanë”, është shprehur Rama.
Rama ka thënë se si pjesë e transformimit të sheshit “Xhorxh Bush” është edhe zona e sheshit “Zahir Pajaziti” si dhe pjesa e Bibliotekës Kombëtare.
“Po fillojmë punimet me një ndër projektet më të mëdha dhe më interesante faktikisht dhe më të veçanta për qytetin. Transformimin e sheshit 'Xhorxh Bush' si pjesë e transformimit të sheshit është po ashtu edhe zona e sheshit 'Zahir Pajaziti', pjesa e Bibliotekës Kombëtare, pra një pjesë e madhe këtu në qendër të kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.
Gjykata Komerciale në tetor të vitit të kaluar e pati aprovuar në tërësi padinë e “Grupit Koha” ndaj Komunës së Prishtinës, duke anuluar vendimin e kësaj të fundit, me të cilin ishin mbyllur për qarkullim të mjeteve motorike rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare.
Punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihet të zgjasin një vit dhe përfshijnë hapësirën prej Katedrales “Nënë Tereza” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

