Arbëri

Personeli shëndetësor i QKMF-ve ankohet për mospagesë të kontributit

Personeli shëndetësor i QKMF-ve në vend po ankohet se nuk ka marrë asnjëherë pagesat e kontributit.

Një gjë e tillë u ishte premtuar që nga viti 2018, kur ishte nënshkruar marrëveshja kolektive nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila parasheh që punëtorët shëndetësorë në vitet jubilare të punësimit përfitojnë shpërblimin jubilar nga punëdhënësi.

Sipas drejtuesit të Sindikatës së QKMF-ve në Prishtinë, Sherif Makolli, Komuna e Prishtinës nuk është duke e zbatuar pikën 3 të nenit 17 të kësaj kontrate për çka, sipas tij, po detyrohen të shkojnë te përmbaruesit, raporton KOHA.

Përmes telefonit, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë për KTV-në se me këtë çështje duhet të merret pushteti qendror meqë, sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk i ka fondet për zbatimin e një kontrate të tillë.

Me një telashe të tillë, sikur kjo e Prishtinës, po përballen edhe komuna të tjera.

Sipas Sazan Ibrahimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, komunat nuk janë kundër zbatimit të kësaj marrëveshjeje, porse ato nuk janë pyetur në kohën kur ajo është nënshkruar.

Ibrahimi tutje shton se kjo kontratë vetëm sa e ka vështirësuar operimin e komunave për zbatimin e saj, meqë ajo i obligon ato që të paguajnë sindikatat për këto paga.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se pavarësisht se është i njoftuar për problemin e pagave jubilare, kjo çështje tejkalon kompetencat e ministrisë së tij.

Përmes kësaj marrëveshjeje, personeli shëndetësor përfiton një pagë jubilare për 10 vjet përvojë pune, dy për 20 vjet dhe për 30 vjet përvojë pune ata përfitojnë tri paga të tilla.

Sipas marrëveshjes mes FSSHK-së dhe MSh-së, shpërblimi jubilar obligohet të paguhet në afat prej një muaji pas plotësimit të këtyre kushteve.